VIDEO: Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Kryeprokurorit Lumezi

Në qendër të kryeqytetit ka nisur protesta në të cilën po kërkohet dorëheqja e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, pas pretendimeve se ka ndërhyrë në hetimet e zhvilluara nga prokurori Elez Blakaj në rastin e listave të veteranëve.

“Kjo protestë është piskama e kësaj shoqërie për me mbrojtë qytetarin. Është protestë për krimet qe po na bëhen. Është protestë kundër atyre të cilët qe 20 vjet po na cenojnë të drejtën për zhvillim ekonomik”, tha Krenare Loxha nga Këshilli i protestës me moton “Shkarkim Prokurorit – Veting Gjyqësorit”.

Protestuesit janë nisur drejt ndërtesës së Prokurorisë së Shtetit.

Gjatë marshimit, protestuesit po brohorasin: “Lumez ik!”, “Pishpirik je vetë”, “Ramush ik!”.

Protesta ka nisur në ora 18:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe pas protesës para Zyrës së Kryeprokurorit, do të përfundojë para ndërtesës së qeverisë.

Kërkesa e protestuesve është dorëheqja e Kryeprokurorit Lumezi dhe fillimi i një procesi të vetingut në drejtësinë kosovare.

Kjo protestë mbahet pak ditë pasi prokurori special i dorëhequr, Elez Blakaj, akuzoi Kryeprokurorin Lumezi për ndërhyrje në hetimet në rastin e listave të veteranëve të UÇK-së.

KALLXO.com po transmeton LIVE protestën.