Dëshmi: Paratë transferohen nga Skenderaj në Turqi

Emisioni i fundit “Drejtësia në Kosovë” ka transmetuar hulumtimin e një dosje të dokumenteve që përbehej nga fletëpagesa që kishin vlera milionëshe të transfereve bankare nga shtetet e perëndimit në Kosovë dhe nga Kosova për në vendet tjera.

Mirëpo siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, këto dokumente edhe pse ishin nxjerrë me kërkesën e prokurorit të rastit Njazi Rexha ato fare nuk ishin marrë parasysh nga ai duke mos i futur fare në aktakuzë.

Këto dokumente ishin nxjerrë me kërkesën e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe ishin lejuar me lejen e gjyqtarit të procedurës paraprake.

Prokurori i Prokurorisë në Mitrovicë, Njazi Rexha, i cili kishte bërë kërkesë që këto dokumente të nxirren nuk i kishte përfshirë në aktakuzë.

Gjykata Themelore e Mitrovicës kishte lëshuar urdhëresën për zbulimin e të dhënave financiare dhe çfarëdo forme të transaksioneve financiare për dy të pandehurit Shemsedin Gecin dhe Valon Malajn.

“Gjykata Themelore e Mitrovicës, në lëndën penale kundër të pandehurve Shemsedin Geci dhe Valon Malaj, duke vendosur në bazë të kërkesës se Prokurorisë Themelore të Mitrovicës-Departamenti i Krimeve të Rënda, PPI.nr.68/17 të datës 26.07.2017 e precizuar me shkresën PPI.nr.68/17 të datës 27. 07. 2017 lëshon këtë urdhëresë për zbulimin e të dhënave financiare për Shemsedin Gecin dhe Valon Malajn”, thuhet në kërkesën e gjykatës të cilën e ka siguruar “Drejtësia në Kosovë”.

Hulumtuesit e “Drejtësia në Kosovë” kanë kërkuar nga Prokurori Rexha sqarime se pse dosja financiare nuk ishte përfshirë në aktakuzë. Ai kishte thënë se do t’i shikojë edhe një herë shkresat e kësaj lënde.

Dy muaj më vonë, ekipi i emisionit “Drejtësia në Kosovë” i është rikthyer prokurorit për ta pyetur nëse në materiale ka diçka të dyshimtë. Përgjigja ka qenë se pas interesimit të ekipit të “Drejtësia në Kosovë”, prokuroria ka nisur një hetim të ri për lëndën.

“Kurrgjë skam çka me ju prit as çka me ju thanë veç jam tu e pritë përgjigjen prej Inteligjencës Financiare. Nëse ka ata e dërgojnë drejt në prokurori speciale nëse nuk ka ma kthejnë përgjigjen që nuk ka diçka të pa rregullt”, theksoi Rexha duke treguar se pas interesimit të DnK-së ka bërë kërkesë të re.

“Po po, kemi ba kërkesë të re ne Inteligjencën Financiare, është e vërtetë”, shtoi Rexha.

 

24 Maj 2019 - 23:34

Behar Mustafa 24/05/2019 - 23:34
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend