ARKIV

VIDEO - Policia me kontrolle të rrepta për pajijset dimërore në automjete

Disa ditë pas fillimit të sezonës dimërore, Policia e Kosovës ka filluar të bëjë kontrolle të shtuara për pajisjet të cilat duhet t’i posedojë çdo automjet në qarkullim.

Fadil Nasufi nga Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugorë në Prishtinë ka thënë  për KALLXO.com se secili automjet në qarkullim duhet të jetë i pajisur me goma të dimrit.

“Siç e dini pajisjet dimërore fillojnë prej 15 nëntor dhe përfundojnë me 15 mars. Çdo automjet që merr pjesë në komunikacion duhet të jetë i pajisur me goma të dimrit N plus S”, tha Nasufi për KALLXO.com.

Ai tutje ka treguar për pajisjet të cilat duhet t`i posedoj çdo automjet që del në komunikacion gjatë sezonit të dimrit.

“Çdo automjet duhet t`i ketë përveç gomave N plus S duhet gjithsesi ti ketë edhe zinxhirët në automjet, nëse nuk i kanë zinxhirët në automjet duhet t’i shqiptohet gjoba”, thotë ai.

Gjatë kohës sa ekipi i KALLXO.com po qëndronte në një pikë kontrolli me policinë, këta të fundit ndalojnë  një veturë të cilës i shqiptohet gjobë për shkak të mungesës së zinxhirëve.

Ndërsa në rastin e dytë, automjeti i cili ndalohet nga policia nuk posedon as gomat e dimrit, as zinxhirët.

Në bazë të ligjit për trafikun gjoba për mungesë të pajisjeve dimërore është 40 euro për persona fizik dhe 100 euro për persona juridik.

Zyrtari i policisë ka treguar për KALLXO.com se që nga fillimi i sezonit të dimrit, Njësiti Rajonal i Trafikut në Prishtinë ka shqiptuar rreth 40 gjoba vetëm për mungesë të pajisjeve dimërore.

Foto: Kallxo.com

“Policia i ka shtuar pikat e kontrollit për shkak të sigurisë në komunikacion… gjatë këtyre ditëve kemi shqiptuar diku 38 gjoba”, tha Nasufi.

Policia e Kosovës ne vazhdimësi ka bërë apel tek qytetarët për siguri në trafik, e sidomos tani në sezonën e dimrit.

Foto: Kallxo.com