Xhavit Haliti e Anton Quni

VIDEO: Polemika e Xhavit Haliti e Anton Qunit për ‘Tetë Milionë Markat’ për UÇK-në

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës njëkohësisht deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti dhe deputeti i LDK-së, Anton Quni, kanë polemizuar sot në fillim të seancës së sotme të Kuvendit në një debat të nisur që nga mbrëmë rreth një shumë të parave që Quni tha se Haliti i ka marrë nga ish ministri i mbrojtjes i qeverisë së Kosovës në ekzil, Ahmet Krasniqi.

Në një intervistë për televizionit T7 mbrëmë, Quni kishte thënë se Ahmet Krasniqi, i vrarë në rrethana ende të pasqaruara në Tiranë në shtator të vitit 1998, ia kishte dhënë 8 milionë marka gjermane Xhavit Halitit, i cili ën atë kohë ishte përfaqësues politik i UÇK-së.

Para se të fillojë seanca, Haliti nga karrigia e drejtuesit të seancës e quajti “gënjeshtër të kulluar” deklaratën e Qunit.

Ky i fundit ka qenë pjesë e organizimit ushtarak të ministrisë së mbrojtjes të qeverisë së Kosovës të viteve 1990 të drejtuar nga Bujar Bukoshi.

“Është gënjeshtër e kulluar, është gënjeshtër prej kuzhinave të tyre… Nëse ke informata të tilla dhe i jep vetit zor që din diçka për UÇK. Nëse unë i kam marrë 8 milionë marka, unë prej sot nuk jam në këtë Kuvend”, tha Haliti

“Duhet ta kesh parasysh që në strukturat politike e ushtarake ka pasë bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë së Kosovës dhe UCK dhe ato struktura nuk janë marrë më kalamaj që kanë nejtë nëpër therra”, shtoi ai.

“Për të biseduar dhe për t’u marrë vesh kam pasë veq një njeri, Bujar Bukoshin, juve as nuk ju kam njoftë. Nuk e din as nuk ke qenë prezent në bisedime”, tha ai.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, kur e mori fjalën në seancë tha se bëhet fjalë për një shumë shtatëshifrore që Haliti, sipas tij, e ka marrë nga ish ministri i mbrojtjes.

“Në atë kohë kam thënë se është në pyetje një shumë 7 shifrore, mbrëmë e kam potencuar saktësisht. Nuk e di çka ka të keqe nëse ky fond është ndarë për ndihmë ushtarëve të UÇK-së. Kanë folë për këtë çështje shumë të tjerë, shokë të idealit e partisë. Nëse doni fakte, unë mund t’i siguroj. Nuk e di a janë 7, 7 apo 8 (milionë)… por ju këtë shumë e keni pranuar personalisht me autorizimin e Ahmet Krasniqit”, tha Quni.

Xhavit Haliti edhe më tej insistoi duke i quajtur “gënjeshtra” deklarimet e Qunit.

“Po të them se ke gënjy, apo më mirë me thanë ke rrejtë. Agim Mehmeti… është bisedu me Bujar Buskoshin. Juve ju konvenon me folë për njerëz të vdekur të UCK-së, e për të gjallët nuk ka rëndësi… Unë nuk e kam lypë Ahmetin (Krasniqin) , Ahmeti m’ka lypë mua”, tha Haliti.

Kur tentoi ta marrë fjalën sërish, haliti nuk e lejoi të flasë Qunin i cili kur shkoi te karrigia e Halitit për t’u qartësuar, nxiti daljen e shumë deputetëve tjerë te foltorja.

Seanca e filluar me gati një orë vonesë, po vazhdon me pikat e rendit të ditës.