Egzon Azemi, asamblist i VV-së në komunën e Prishtinës. Foto: Kallxo.com

NPB, ‘fushëbeteja’ e re komunale PSD-VV (VIDEO)

Egzon Azemi, Asambleist në Komunën e Prishtinës dhe aksionar në Ndërmarrjen Publike Banesore ka mbajtur sot konferencë për media,  pas ndalimit të Kryeshefit Ekzekutiv të NPB-së Hajdar Hoxha për të hyrë në  këtë objekt.

Në këtë konferencë Azemi tha se po vazhdon tentimi për të kapur NPB-në, madje edhe me vetëgjyqësi.

“Sot Drejtori i Pronës, asambleisti që ka konflikt interesi në NPB, Bashkim Beha dhe antari tjetër i tyre Hajdar Hoxha të cilin në çdo formë po duan ta rahatojnë në NPB me rreth tetë sigurima privat pas orës 05:00 të mëngjesit tentuan ta okupojnë këtë ndërmarrje por fal rezistencës së puntorëve të cilët e njoftuan menjëherë policinë kjo ndërmarrje është ende publike” u shhpreh Azemi.

Ai shtoi se Kuvendi Komunal i Prishtinës ka shkarkuar aksionarin e PSD-së pikërisht për shkak të, siç u shpreh, shkeljeve të vërtetuara edhe nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

“Dhe përsëri ata kanë hyrë aq thellë saqë po falsifikojnë dokumente të cilat po i vulosin me vula të drejtorive të Komunës vetëm e vetëm për ta mashtruar opinionin publik”, tha Azemi.

“Ndërmarrjet publike sipas ligjit janë pronë e Kuvendit Komunal, andaj ky insistim i pakuptimtë që paligjshëm ta okupojnë NPB-në se janë veç dëshmi e borxheve të PSD-së ndaj shumë biznesmenëve që disi duhen larë”, u shpreh Azemi.

Në këtë konferencë Azemi tha se Shpend Ahmeti gjatë kohës së zgjedhjeve mburrej me këtë menaxhment të MPB-së.

“Ne duam që Ndërmarrja Publike Banesore të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të vazhdojnë projektet e saj që janë në dobi të qytetit tonë. Ndërsa ata që duan që këtë ndërmarrje ta kthejnë në shërbim të miqve të Shpend Ahmetit mos të harrojnë se para pak muajsh fushatë mburrej me këtë ndërmarrje e me këtë menaxhment e tani është sulur ndaj tyre vetëm e vetëm që ti ngop interesat e ngushta të të aferve të tij”, tha Azemi.

Ai ka ftuar të gjitha institucionet publike të  vazhdojnë bashkëpunimin e tyre me menaxhmentin valid të NPB-së në mënyrë që projektet në dobi të qytetarëve që kanë filluar për herë të parë që nga paslufta si renovimi i banesave kolektive dhe mirëmbajtja e tyre të vazhdoj sepse nga këto projekte përfitojnë direkt qytetarët e Prishtinës pa dallime.

KALLXO.com ka shkruar sot për ndalimin e Kryeshefit Ekzekutiv të NPB-së për të hyrë në këtë objekt.

https://kallxo.com/kryeshefit-ekzekutiv-te-npb-se-i-ndalohet-hyrja-ne-objekt/

Komuna e Prishtinës ka thirrë një konferencë për shtyp menjëherë pas konferencës së Egzon Azemit.