Zëdhënësi i Shtabit Zgjedhor të PDK-së në Drenas, Betim Berisha - Foto: KALLXO.com

VIDEO- Nipi i Sala Berisha Shalës: S’mund të hysh në borde pa qenë në parti

Kryesuesi i posa emëruar në bordin e Ujësjellësit “Prishtina”, Betim Berisha ka dhënë një deklaratë interesante në lidhje me emërimet e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike.

Ai për KALLXO.com ka thënë se anëtarët e bordit duhet të vijnë nga ndonjë parti politike, duke aluduar se nuk ka njerëz që nuk janë pjesë e strukturave të partive.

“Kam dhënë dorëheqje, po hajt boni çka të doni shkruani burrë, shkruani çka doni. PDK, LDK, tjetër ka s’mujn me marrë me qu n’borde. Thuaj PDK a AAK a Nisma, kam dhënë dorëheqje prej PDK-së kur ka dal baci Jakup”, ka deklaruar Berisha për KALLXO.com.

KALLXO.com ka shkruar më herët se Berisha ishte pjesë e PDK-së dhe ka lidhje familjare me deputeten e të njëjtës parti që udhëhiqet nga Kadri Veseli.

Ai kishte deklaruar se ka tre vjet që ka dhënë dorëheqje. Por, KALLXO.com ka gjetur se në fakt ai është larguar nga posti i drejtorit të Urbanizmit në Drenas me 11 prill 2017.

KALLXO.com ka marrë përgjigje nga Komuna e Drenasit si dhe dokumentin për lirim nga detyra për ish-drejtorin e Urbanizmit, Betim Berisha. Në vendim thuhet se Berisha është liruar nga detyra me datën 11 prill 2017. Pra, kanë kaluar 26 muaj që kur Berisha mbante një postë politikë.

Ish-zëdhënësi i PDK-së dhe ish-drejtor i Urbanizmit në këtë komunë shton e ka pranuar se ka dhënë dorëheqje nga PDK kur ka lëshuar postin si drejtor në komunën e Drenasit, më saktësisht më 11 prill të vitit 2017.

“Qatherë kam dhënë dorëheqje prej drejtorit, prej partisë”, thotë ai duke e demantuar veten dhe përgjigjen që ka dhënë gjatë ditës.

Zgjedhja e tij është bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Neni 17 i Ligjit për Ndërmarrje Publike specifikon kushtet të cilat duhet t’i plotësojë një anëtar i bordit si dhe kushtet të cilat e eliminojnë nga gara.

“Të gjithë drejtorët përveç kryeshefit ekzekutiv duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.