Foto: BIRN

VIDEO – Në pritje të vendimit të Gjykatës së Hagës ndaj Radovan Karaxhiqit

Një grup prej rreth 30 përfaqësuesve të viktimave të luftës në Bosnjë e Hercegovinë janë mbledhur para ndërtesës së Tribunalit të Hagës, në pritje të verdiktit të shkallës së dytë të gjykatës për krime lufte në ish-Jugosllavi ndaj Radovan Karaxhiqit, liderit të serbëve të Bosnjës në kohën e luftës.

Ata po mbajnë në duar parulla në të cilat shkruan “Ne besojmë në drejtësi, ai është fajtor”, “Karaxhiq, ku janë të zhdukurit nga Vogoshça?”.

Shpallja e verdiktit të gjykatës pritet të fillojë në orën 14:00.

Karaxhiq akuzohet për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës gjatë luftës në Bosnje, midis vitit 1992 dhe 1995.

Këshilltari i tij ligjor amerikan Peter Robinson tha për BIRN se Karaxhiq “po pret me qetësi vendimin”.

“Ai është plotësisht i qetë. Ai shpreson për të mirën, por është i përgatitur për më të keqen,” tha Robinson.

Në vendimin e shkallës së parë në mars të vitit 2016, Karaxhiq u dënua me 40 vjet burg pasi u shpall fajtor për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë civile të Sarajevës me një fushatë të gjatë bombardimi dhe sulmesh me snajpera, si edhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Ai u lirua nga akuzat për gjenocid në shtatë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.

Si mbrojtja dhe prokuroria kanë apeluar kundër vendimit të vitit 2016.

Prokurorët argumentuan se Karaxhiqi duhet të shpallet fajtor edhe për gjenocid në vitin 1992 dhe të dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa mbrojtja kërkoi që ai të lirohej në të gjitha akuzat, duke insistuar që ai nuk pati një gjykim të drejtë në shkallën e parë.

Dhënia e vendimit do të fillojë në orën 14:00 me orën lokale në Hagë. Megjithatë, duke u larguar nga praktika e zakonshme në gjykatën e Hagës, vendimi nuk do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e internetit të gjykatës.

Në vend të kësaj, gjykata do t’i transmetojë procedurat me vonesë kohore prej 30 minutash.

Vendimi do të transmetohet me këtë vonesë kohore për arsye sigurie, pas vetëvrasjes në sallën e gjyqit të ish-gjeneralit kroat të Bosnjës, Slobodan Praljak, i cili piu helm ndërsa jepej vendimi për të, drejtpërdrejtë në faqen e internetit të gjykatës në nëntor 2017.

Praljak, i cili u gjet fajtor për persekutim të civilëve në disa komuna në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë luftës dhe vdiq menjëherë pas kësaj.

Më shumë se 250 përfaqësues mediash janë akredituar për vendimin e ditës së mërkurë, në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të viktimave të luftës në Bosnje dhe nga disa mbështetës të Karaxhiqit.