VIDEO: Ndërtuesi i banesave dëmtoi gypin kryesor, banorët gjashtë ditë pa ujë të pijshëm

Banorët e lagjes Arbëria po ankohen për mungesë të ujit të pijshëm. Banorët e kësaj lagjeje të Prishtinës dhe banorët e fshatit Shkabaj ka gjashtë ditë që kanë mbetur pa ujë të pijshëm, kjo për shkak se një investitor ka shpërthyer gypin kryesor të ujit, që e furnizon këtë pjesë të lagjes dhe fshatin Shkabaj.

Dritëro Xhemajli, banor i lagjes Arbëria tha për KALLXO.com se disa ditë kanë mbetur pa ujë të pijshëm për shkak të shpërthimit të gypit.

“Kemi problemin me ujë, para pesë ditësh është ndërprerë uji, ka qenë problem te ndërtesa që janë t`u ndërtu, është shemb gypi kryesor, dy ditë kemi qëndru pa ujë, pastaj e kanë bo një rregullim diçka, vetëm një ditë kemi pasë ujë, prapë është prishë, ai gyp ka qenë mbi dyzet vite”, tha Xhemajli.

Edhe Sadie Bytyçi e frustruar tregoi për KALLXO.com se nuk po mundet të kryej as një punë në shtëpi për shkak të mungesës së ujit.

“E kanë thy (gypin), na kanë prishë, askush nuk paraqitet, askujt nuk ja ndien,. Nuk po dimë çka me bo, ku me marrë ujë, kemi mbetë që katër ditë pa ujë, a janë në rregull këta, po ndërtojnë banesa e neve na bëjnë problem, le të mbarojnë çka duan po mos të na shkatërrojnë në shtëpia”, tha Bytyçi.

Banorët e lagjes Arbëria u ankuan edhe për mos njoftim nga kompania e ujësjellësit.

Por, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “ Prishtina”, Arjeta Mjeku tha për KALLXO.com se ata i kanë njoftuar ata përmes komunikatës në ëeb-faqen e kompanisë.

Mjeku po ashtu tha se arsyet e mungesës së ujit është rrëshqitja e dheut mbi gyp nga investitori.

“Jemi shumë të indinjuar me punimet dhe dëmtimet në gypat e ujësjellësit nga investitor siç është rasti në lagjen Arbëria ku brenda javës kemi pas dy rrëshqitje të dheut në vend-punishte ku si rezultat është dëmtuar gypi furnizues që furnizon një pjesë të Arbërisë dhe fshatin Shkabaj”, tha Mjeku për KALLXO.com.

KALLXO.com disa herë ka tentuar të marrë përgjigje nga kompania “EFOR LUKI”, e cila po investon në këtë pjesë të Prishtinës, por ata nuk kanë dashur të flasin me arsyen se tashmë janë duke punuar në rregullimin e dëmit.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje nga Komuna e Prishtinës lidhur me dëmtimin e gypit, por zyrtarët e saj kanë qenë të paqasshëm.