VIDEO- Momenti i 'rrëmbimit' të vajzës në Prishtinë, Policia jep detaje

Policia ka dhënë detaje në lidhje me një rast i cili nga qytetarët është cilësuar rrëmbim ndërsa prokuroria e ka cilësuar shtrëngim.

Në orët e para të mëngjesit të 18 qershorit, rreth orës 01:00, policia tha se ka pranuar një informatë se një grua është futur me forcë në një veturë nga disa persona të dyshuar e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

KALLXO.com ka siguruar pamje të momentit të rrëmbimit të vajzës.

Sipas policisë, pas grumbullimit të shpejtë të informacioneve të marra në rrugë operative si dhe pas zgjerimit të hetimit, kanë arritur që të identifikojnë viktimën si dhe shoqëroi në stacion policor 37 vjeçarin me inicialet S. D dhe 24 vjeçarin me inicialet E. A.

Ndaj personave të dyshuar është iniciuar rasti shtrëngim dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit të shtetit lirohen në procedurë të rregullt, ndërkohë që hetuesit policor janë në përfundim të veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale, për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes.

Policia me anë të njoftimit ka sqaruar disa informacione për të cilat është shkruar në media.

“Referuar disa informacioneve të cilat kanë qarkulluar nëpër platforma të ndryshme të informimit, se e rrëmbyera është gazetare e një mediumi shqiptar , për hir të korrektësisë, konfirmojmë se një lajm i tillë nuk është i vërtetë si dhe një fakt i tillë nuk qëndron. Viktima nuk është gazetare e asnjë mediumi apo platforme informimi”, thuhet në njoftim.