VIDEO: Momentet kur specialët i dërgojnë në Dyz të dyshuarit për terrorizëm

Tre të dyshuarit për pjesëmarrje në organizata terroriste, Arijan Kryeziu, Visar Qugovci dhe Agon Misini, janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Ata janë dërguar në këtë burg nga njësitë speciale të Policisë pasi që Gjykata e Prishtinës mori vendim që ndaj tyre të caktojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Masë e njëjtë i është caktuar dje edhe të dyshuarit tjetër R.T.

Të katërtit janë sjellë të premten në mbrëmje nga Siria, ky dyshohet se kanë luftuar përkrah grupeve terroriste atje.

Ata janë pjesë e 110 personave, kryesisht gra e fëmijë, të cilët janë sjellë nga vatrat e luftës në saje të bashkëpunimit të autoriteteve të Kosovës me vende aleate, sidomos Shtetet e Bashkuara.

Me përjashtim të katër të dyshuarve, të tjerët që erdhën nga Siria po mbahen në Qendrën e Azilkërkuesve në Vranidoll, afër Prishtinës.