Konventa e Prodhuesve të Kosovës - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Mbi 300 kompani në Konventën e Prodhuesve të Kosovës

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka hapur konventën e tij në kohën kur vendosja e taksës ndaj prodhimeve të Serbisë nga Qeveria e Kosovës është bërë temë kryesore politike jo vetëm brenda vendit.

Qëllimi kryesor i organizimit të Konventës së Prodhuesve të Kosovës është fuqizimi i sektorit të prodhimit dhe promovimi i produkteve “Made in Kosova”.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, tha se kjo konventë është themeluar  që t’u tregojë të tjerëve se në Kosovë ka prodhim.

Ai tha se prodhuesit kosovarë janë pro tregtisë së lirë, ndërsa ka ftuar vendet e rajonit si Shqipëria dhe Maqedonia për të diskutuar për tregti dhe bashkëpunim rajonal.

Panxha ka përmendur disa pika, të  cilat do t’i ndihmonin prodhuesit kosovarë në hyrjen në treg.

“Depërtimi i produkteve të Kosovës në pikat e shitjes me pakicë, duhet të bëhen takime që  këto produkte të jenë edhe në këto pika. Prodhuesit vendorë nuk mund t’i quajmë biznesmenë por investitorë të Kosovës sepse ata e ndihmojnë shtetin në këtë pikë. Jemi në  fazën e fundvitit kur do të fillojnë negociatat nga prodhuesit me supermarketet dhe shpresoj se këta të fundit do të reflektojnë në situatën e krijuar në Kosovë”, ka thënë Panxha.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në fjalën përshëndetëse në hapjen e konventës ka ripërsëritur qëndrimet e Qeverisë rreth taksës prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjës.

Ai ka thënë  se kjo taksë nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Le të  shërbejë taksa si porosi se “po, ne jemi zgju”, “po, ne jemi vetvetja”. Ky është një vendim i Kosovës sepse është shtet sovran. Këtë vendim e ka marrë Kosova sepse nuk ka pasur rrugë  tjetër. Shumica po mendojnë  që  marrja e këtij vendimi ka qenë  pjesë e kalkulimeve vendore, por më besoni sepse mundet me mbetë shumë  gjatë, aq gjatë sa të mos ndodhë njohja e Kosovës nga Serbia, aq gjatë sa nuk do të vendoset një marrëveshje përmbledhëse ku i ka të gjitha, edhe njohjen edhe anëtarësimin në OKB edhe borxhet, edhe pensionet, edhe të pagjeturit por edhe heqjen e taksës. Taksa është  vetëm pjesë e paketës finale të marrëveshjes për njohjen Kosovë – Serbi dhe nëse dikush e kalkulon ndryshe le të  vazhdon me kalku por pastaj e ka fajin vetë”, ka thënë Haradinaj.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala u ka bërë thirrje qytetarëve të konsumojnë produkte vendore, por dhe prodhuesve të punojnë më shumë në ngritjen e cilësisë së produkteve.

“Ministria është e angazhuar që të përkrahë prodhuesit vendorë, jemi duke punuar shumë që Kosova t’i  shfrytëzojë sa më shumë potencialet e saj. Bëj apel te qytetarët që të konsumojnë produktet vendore gjithashtu edhe te prodhuesit të rrisin cilësinë dhe e jona është të krijojmë kushte që të rrisim këtë  prodhim”, ka thënë Shala.

Në këtë konventë ishin të pranishëm mbi 300 kompani prodhuese nga Kosova dhe mbi 70 kompani nga Shqipëria dhe Maqedonia.