Presidenti Hashim Thaçi takon liderët e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Foto: Kallxo.com

VIDEO - Liderët e Luginës kërkojnë rezolutë nga Kuvendi për bashkim me Kosovën

Liderët e Luginës së Preshevës i kanë dorëzuar sot Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, një kërkesë që Kuvendi i Kosovës ta miratojë një rezolutë me të cilën do të kërkonte bashkimin e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovën.

Kërkesa paraqet hapin më konkret deri në tani prej se Presidenti ka nisur ta flasë këtë ide publikisht muajin e kaluar.

Kërkesa është bërë gjatë një takimi që Thaçi zhvilloi sot me liderët e tri komunave të banuara me shqiptarë në jug të Serbisë- Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

“Tanimë është gjithçka e qartë që vullneti i deklaruar i shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës është institucionalizuar përmes përfaqësuesve të tyre tek institucionet e Republikës së Kosovës për bashkangjitje me Kosovën”, tha Thaçi.

“Këtë të drejtë, Presidenti i Kosovës e ka mbështetur plotësisht dhe botërisht. Nëse dje e kam mbështetë fuqishëm, sot do të punoj edhe më fuqishëm që kjo e drejtë të realizohet”, shtoi ai.

Thaçi tha se do të bëjë “përpjekje maksimale” që përmes një procesi paqësor përmes dialogut me Serbinë që kjo çështje të mbyllet njëherë e përgjithmonë dhe “kjo padrejtësi historike të korrigjohet”.

“Dua të besoj e të gjithë në Kosovë, pa dallime ideologjike e partiake do ta mbështesin të drejtën e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për bashkangjitje”, tha Thaçi.

“Liderët e PMB kanë propozuar një rezolutë që e kanë dërguar te Presidenti dhe në Kuvend që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta nxjerrë një rezolutë që e shpreh qartë mbështetjen unike që Presheva, Bujanoci e Medvegja t’i bashkangjitet Kosovës”, tha Thaçi.

“Është një momentum të cilin duhet ta shtyjmë përpara dhe vetëm të bashkuar mund ta realizojmë këtë objektiv”, shtoi ai.

Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, tha se kjo kërkesë është “akt legjitim” ndërsa tha se ditëve të ardhshme liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës do t’i takojnë të gjithë shefat e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës për t’u kërkuar mbështetje për këtë rezolutë.

“Ne liderët e shqiptarëve të PMB ju drejtohemi me kërkesë që në periudhë sa më të shkurtë ta miratoni një rezolutë për bashkimin e PMB me Kosovën”, thuhet në kërkesë.

“Qytetarët e Preshevës janë të entuziazmuar, janë të prekur nga mundësia për t’i bashkuar Kosovës që e kanë pasur ëndërr dhe kanë punuar për të, por duhet të krijohet siguri”, tha Arifi.