Gjetja e fëmijës së zhdukur në liqenin e Badovcit (Simulim), Foto: Kallxo.com

VIDEO - Kërkimi i një fëmije të zhdukur në liqenin e Batllavës (Simulim)

Në ditën e katërt të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 7 maj 2018, është simuluar situata e zhdukjes se një fëmije në mes të liqenit të Batllavës.

Sipas skenarit të ushtrimit, Policia në fshatin Orllan ka raportuar se një fëmijë i moshës 5 vjeçare ka hyrë në ujë në liqen dhe dyshohet se ka vdekur.

Përderisa njësitet e FSK-së arrijnë në vendin e ngjarjes familjarët e fëmijës rolin e të cilëve në të vërtetë e luajnë pjesëtarët rezervë të FSK-së ankohen se ata janë vonuar dhe ka kaluar shumë kohë që kur fëmija është mbytur.

Zhytësit nuk mund ta gjejnë fëmijën në lokacionin e parë që është dhënë nga familjarët. Sipas skenarit të këtij ushtrimi të simuluar, nga familjarët vjen një informacion se vendi ku kanë qenë deri tani duke e kërkuar fëmijën ka qenë i gabuar.

Ata zhvendosen 10 metra më poshtë dhe fillojnë kërkimin. Pas pak kohe ata gjejnë viktimën, e cila në të vërtetë është një kukull, por ata duhet të vazhdojnë veprimet e tyre deri në fund sipas procedurave dhe rregullave të FSK-së. Tashmë puna i kalon paramedikëve të FSK-së dhe të ushtrisë amerikane.

Në ditën e parë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 3 maj të këtij viti, 700 ushtarë janë dislokuar dhe janë vendosur në kampin fushor në Koliq.

Në ditën e dytë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, është simuluar një krizë në rajonin e Batllavës ku si rezultat i reshjeve të vazhdueshme është rritur niveli i ujit në liqen. Në mënyrë që mos të ketë dëmtime edhe më të mëdha, zyrtarët kanë hapur kanalin dhe kanë lejuar sasi të mëdha të ujit të dalin në lum.

Në ditën e tretë, në ushtrimin fushor ‘Shqiponja 6’, janë simuluar situata ku është dyshuar se grupet kriminale mund të kenë vendosur mjete të helmuara në afërsi të liqenit të Batllavës. Po ashtu, pjesë e këtij ushtrimi kanë qenë edhe rastet kur grupet kriminale kanë tentuar të bllokojnë lëvizjet e trupave tona në zonën e operacionit duke vendosur barrikada në rrugë.

Ka pasur edhe simulim të rasteve ku një familje ka pasur nevojë për ndihmë dhe evakuim nga thellësia e liqenit të Badovcit.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar ushtrimin fushor “Shqiponja 6” në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe sipas standardeve më të larta të NATO-s.

Përpos trupave të FSK-së, pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” kanë qenë edhe efektivët ushtarakë nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, ShBA-ja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe KFOR-i.

Ky është episodi i katërt i serisë së emisioneve speciale për FSK-në, KALLXO Forca.

Më poshtë mund të gjeni xhirime ekskluzive të realizuara nga KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në kuadër të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’.