Gjykimi për terrorizëm - Foto: KALLXO.com

Video-incizimet e takimeve të të akuzuarve me policët e infiltruar lëshohen në Gjykatë

Në gjykimin e të akuzuarve për vepra që lidhen me terrorizëm Ardian Mehmeti, Valon Shala, Genc Selimi, Musli Hyseni dhe Nuredin Sylejmani, janë lëshuar video-incizimet e të akuzuarve.

Tre video-incizime të të akuzuarve janë lëshuar sot në Gjykatë.

Në njërën nga videot e zhvilluara tek marketi i quajtur “Nora”, vërehej i akuzuari Genc Selimi duke u takuar me dy policët e infiltruar me emrat e kodifikuar “Tafil” dhe “Premtim”.

Policët e infiltruar në bazë të planit operativ ndaj këtij rasti të cilin e kishin etiketuar me emrin “Uragan” ishin takuar disa herë me të akuzuarit me pretendimin për t’ iu shitur armë.

Të dy policët e infiltruar kanë dhënë dëshmi në këtë shqyrtim gjyqësor përmes video-lidhjes, me fytyrë të mbuluar e zë të ndryshuar.

http://kallxo.com/polici-inflirtuar-rrefen-takimet-te-akuzuarit-per-terrorizem-per-blerjen-e-armeve/

Në këtë video- incizim dëgjohet zëri i policëve të infiltruar të cilët e pyesin se përse po i duhen armët, ku më pas i akuzuari Selimi i përgjigjet se i duhen për tregti.

Sipas mbrojtjes, ky video-incizim edhe vërteton se qëllimi për blerjen e armëve ka qenë për tregti e jo për të kryer ndonjë vepër terroriste.

Kujtojmë se për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve, të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë.

Ndërkaq, dy video-incizimet tjera të cilat u lëshuan në sallë të Gjykatës vërehen të akuzuarit duke qëndruar te bagazhi i makinës së dy policëve të infiltruar, ku në atë bagazh pretendohet të kenë qenë armët.

Ndryshe, prokurori Afrim Shefkiu bëri të ditur se do të tërhiqet nga dëgjimi i dëshmitarëve të tjerë.

Në seancën e radhës, e cila u caktua për më 22 qershor, me kërkesë të prokurorit do të lexohet procesverbali i hetuesisë.

Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë rast. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.