Imami, Rexhep Lushta, ligjërues në Burgun e Dubravës

VIDEO: Imami tregon si është gjendja e të burgosurve për terrorizëm në Burgun e Dubravës

Në emisionin e “Drejtësia në Kosovë” u transmetua rrëfimi i një gruaje e cila që gjashtë vite po pret rikthimin e burrit të saj nga Siria. Në anën tjetër gjatë këtij emisioni u shfaqën edhe rrëfimet e imamëve të cilët ligjërojnë nëpër burgjet e Kosovës, të cilët treguan gjendjen e të burgosurve të cilët po vuajnë dënimin për terrorizëm dhe ekstremizëm.

Imami, Rexhep Lushta, i cili ligjëron në Burgun e Lipjanit, tregon për takimin e parë me të burgosurit e Bubravës.

“Takimi ynë me këta djem ka qenë një takim i këndshëm i mirë, ne shpresojmë shumë në ta. Qëllimi ynë është që të përqojme mesazhin e fesë hyjnore. Dy takimet e para që i kemi pasur, kanë qenë në fushë të sportit dhe ka qenë një takim emocionues jam emocionu shumë, pastaj ligjëratën e kemi bërë në takimin e tretë jemi tubuar në një sallë dhe kemi bërë më shumë një takim vëllazëror, ka qenë një emocion jo i mirë pasi kisha dashtë që ata djem mos ti takoj prapa grilave por diku jashtë duke punuar. Por janë shpresëdhënës”, tha ai.

Ai shtoi se gjendja ekonomike e disave prej tyre nuk është e mirë.

“Në një prej takimeve tona kemi diskutuar për familjen e tyre, ka disa prej tyre ka që kanë lënë nënën e tyre në gjendje të smutë, dikush fëmijët, ka prej tyre që gjendjen ekonomike në familje se kanë të mirë, flasin por përderi sa ata janë në burg ne nuk duhet të anashkalojmë familjet e tyre. Të paktën ne si shoqëri. Shpresa është e madhe te secili prej tyre”, tha ai.

Në katër emisione të transmetuara në “Drejtësia në Kosovë” janë trajtuar rastet e të rikthyerve nga luftërat e huaja, dështimin për deradikalizim nga ana e institucioneve përkatëse, e ku gjithashtu tregohet se Komunat e Kosovës nuk kanë buxhet e platforma për t’i trajtuar këto raste e Qendrat për Punë Sociale nuk kanë punëtorë.

Në luftërat e huaja si Siria e Iraku, janë ende afër 200 persona të cilët nuk janë kthyer në Kosovë, mbi 100 të tjerë janë vrarë ndërsa 400 e më shumë persona të tjerë po përballen me sistemin e drejtësisë kosovare.