Ramush Haradinaj dhe Lutfi Haziri

(VIDEO) Haziri dhe Haradinaj ‘zbusin fjalët’ ballë për ballë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri janë takuar sot në këtë qytet për të diskutuar projektet që e prekin atë zonë.

Ky takim po vjen disa ditë pas një përplasje virtuale mes dy palëve lidhur me çështjen e taksës 100 për qind për produktet serbe dhe për prekjen e kufijve në dialog Kosovë-Serbi.

Në një intervistë për gazetën ‘Express’, Haziri kishte thënë se ‘qeveria do të bjerë bashkë me taksën’.

Pas kësaj, kishte reaguar këshilltari i kryeministrit, Halil Matoshi  duke thënë se  ‘Lutfi Haziri është një nga këshilltarët e Presidentit Thaçi në këtë çështje, në turrin antikushtetues, për hapjen e çështjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, të Republikës së Kosovës’.

Megjithatë, në takimin e sotëm Haradinaj dhe Haziri të buzëqeshur insistuan se sovraniteti territorial i Kosovës është i paprekshëm.

Haradinaj tha se taksa nuk duhet të jetë determinuese për marrëdhëniet Kosovë-ShBA.

“Besoj se tash jemi gati pas taksës, sepse dihet gjendja e taksës, ajo vazhdon të mbetet. Mënyra mos me i prish marrëdhëniet me Amerikën dhe mënyra me i ndreq marrëdhëniet me Serbinë është me i rujtë kufijtë ekzistues”, tha Haradinaj.

Në anën tjetër, Lutfi Haziri tha se nuk del jashta qëndrimeve të LDK-së.

“Qëndrimi im është i njohur por unë kam priotietet e Komunës. Kryetëri i LDK dhe Kryeministri kanë treguar mirëkuptim ndaj qëndrimit tim që është riaktualizu në 2011. Kosova e 17 shkurtit në këto rrethana mbetet e paprekshme. Në Kosovë të gjiithë jemi për dialog për mënyrën kemi dallime”, tha Haziri.