VIDEO: Halil Kastrati, myslimani që ndihmon të krishterët

Shoqata “Jetimat e Ballkanit” e Halil Kastratit ka bërë me shtëpi e banesa qindra familje në Kosovë e Maqedoni.

Njeriu që të gjithë e thërrasin hoxhë ka ndihmuar edhe shumë familje katolike.

Sot ai ka vizituar dy familje në fshatin Zym.

Familja 6-anëtarëshe Kajzogaj jeton në një shtëpi të vjetër.

“Vështirë shumë, shumë vështirë. Pa të ardhura, pa asgjë mbi këtë tokë”, thotë e moshuara Tereza Kajzogaj.

Kjo familje pret që dimrin ta kalojë në shtëpinë e re, të ndërtuar me donacionet e mbledhura nga shoqata “Jetimat e Ballkanit”.

“Jetimat e Ballkanit nuk kanë përzgjedhje të nevojtarëve. Nevojtari është nevojtar, pa marrë parasysh religjionin, ngjyrën, racën. Kështu që ne sot jemi në fshatin Zym, është një shtëpi në përfundim, edhe një tjetër që ka ngelë pa u meremetuar dhe mobiluar. Kjo nuk është hera e parë që ndihmojmë familje të krishtera, kemi dhuruar edhe banesa për familje të krishtera”, thotë Halil Kastrati.

Së bashku me motrën Marjeta Dodaj, “Jetimat e Balkanit” kanë gjetur këto familje në nevojë.

“Kur e kam parë punën që e bëri te Berti Prekpalaj më pëlqeu dhe më bëri përshtypje dhe thash me siguri edhe këta kanë një zemër prej njeriu, për të varfrin dhe për ata që kanë nevojë dhe për këtë iu kam drejtuar Halilit, të cilin e kam thirrur disa herë në telefon dhe më tha do të shohim dhe ia arriti qëllimit”, thotë motra e nderit e Kishës në Zym.

Në fund të nëntorit, shoqata “Jetimat e Ballkanit” do të dorëzojë çelësat e 28 shtëpive për të varfrit.