Makina e shpikur nga gjilanasit - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Gjilanasit ‘shpikin’ makinë për topat e basketbollit

Ta porosisin nga jashtë nuk i patën mundësitë.

T’i shikojnë klubet tjera botërore si stërviten me topin dhe të rrinë duke pritur, nuk e bënë.

U deshën jo më shumë se katër veta për ta zgjidhur problemin.

Tani të rinjtë, vajza e djem, të mbledhur në një shkollë basketbolli në Gjilan, e kanë më të lehtë t’i bëjnë stërvitjet me top.

Basketbollistët Laurant Ibrahimi e Qëndrim Demi së bashku me salduesin Ragip Ramizi dhe elektricistin Qamil Salihu kanë ndërtuar një makinë për kthimin e topave.

Tani gjithçka duke e thjeshtë.

Basketbollisti e gjuan topin në kosh. Topi, përmes mekanizmit të ri të futur nën kosh vjen sërish në duart a basketbollistit që është në radhë për të gjuajtur.

Kjo makinë është vënë në përdorim për herë të parë në basketbollin kosovar.

Përfitimet janë të shumëfishta pasi topi që vjen nga kjo makinë në duar të basketbollistit vjen më një vëllim më të madh fuqie se që mund të vijë nga një bashkëlojtar apo trajner.

“Ideja fillimisht na ka ardhë duke i parë trajnerët në shtetet tjera, domethënë këto shtetet çka janë ma të avancuara të cilët kanë mundësi me e pasë këtë makinë, pasi e ka goxha një kosto të lartë  edhe në pamundësi me e porosit ose me ardhë në Kosovë kena pasë iniciativë”, tha Qëndrim Demi.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, varësisht nga cilësia, një makinë e tillë kushton nga 5 mijë deri në 11 mijë dollarë.

Qëndrim Demi tregon se duke e parë çdo ditë e më shumë këtë makinë të nevojshme për basketbollin kosovar që t’i rritë performancat e tyre kanë vendosur ta ndërtojnë vetë.

“Kjo makinë të ndihmon me e rrit nivelin tënd personal si gjuajtës në basketboll”, thotë Demi.

Elektricisti Qamil Salihu tregon se ideja ka qenë e dy trajnerëve ndërsa ai ka kontribuuar në këtë makinë në fushën e elektrikës.

“Unë për vete nuk kam pasë ide as nuk kam parë diçka të këtillë. Pasi i takoj fushës së elektrikës, unë pjesën elektrike e kam kryer, nuk mu ka dukur shumë e vështirë. Natyrisht se kemi pasë probleme, njëherë e kemi montu, njëherë e kemi bërë ma të madhe nuk na ka zënë një derë”, shpjegon Salihu për Kallxo.com.

Makina është punuar në lokalin e mjeshtrit të saldimeve Ragip Ramizi.

“Realisht fillimi ka qenë i vështirë, por me ndihmën e këtyre trajnerëve dhe këtij shokut Qamilit, kemi filluar ngadalë-ngadalë. Ka shkuar puna si të them ashtu ngapak – ngapak, tu e ndërtu tu e ndërtu veç kemi ardhë deri te përfundimi i kornizës”, tregon Ragip Ramizi.

Përmes kësaj makine, topat për basketbollistët mund të shpërndahen deri në gjysmën e fushës.