Foto: Kallxo.com

VIDEO – Ekzaminimet e kamionit që shkaktoi aksidentin në Gjilan

Kanë kaluar më shumë se dy javë nga aksidenti i tmerrshëm që i mori jetën një qytetari të Gjilanit, dhe ekzaminimet rreth gjendjes teknike të automjetit që e shkaktoi këtë aksident nuk janë kryer ende.

Më 7 mars, një kamion i një kompanie kosovare të prodhimit të ujit shkaktoi një aksident të rëndë në Gjilan në të cilin vdiq një person ndërsa 26 të tjerë pranuan trajtim mjekësor në spitalin rajonal dhe në QKUK.

Kamioni i cili po barte ujë, si pasojë e mosfunksionimit të frenave shkaktoi aksidentin në mes të ditës në qendër të Gjilanit.

Prokuroria ka deklaruar se kamionit nuk i funksionin frenat, ndërsa i njëjti kishte dy vite pa kontrolluar dhe pa u regjistruar ani pse kishte gjoba për të njëjtat.

KALLXO.com të premten qëndroi në vendin ku për herë të dytë radhazi po kryheshin ekzaminimet e kamionit që kreu aksidentin.

Prokurorja e rastit, Rozelinda Manastiri, tregoi për KALLXO.com se çfarë po ndërmerrej.

“Tani jemi në vendin ku po kryhet ekzaminimi i kamionit. Jemi në vend punishten e “Eco-Higjienës”, ku është duke u bërë ekzaminimi i kamionit nga ekspertët të caktuar nga Fakulteti i Makinerisë. Kjo është hera e dytë që po dalin në ekzaminim ”, tha prokurorja Manastiri.

Ekspertë të mekanikës ishin ngarkuar që të ekzaminonin kamionin i cili shkaktoi aksidentin në Gjilan.

Në asistencë të tyre kishin dalë edhe policia por edhe punëtorë të tjerë.

Prokurorja Manastiri tregoi se në fund të ekzaminimeve për të cilat ende nuk dihet se kur do të përfundojnë do të formohet edhe ekspertiza e cila do ë vërtetoj më së miri se cilat ishin shkaktarët e aksidentit.

“Deri tash jemi duke i zhvilluar hetimet, jemi duke i identifikuar të lënduarit me radhë që kanë qenë, dëmet e shkaktuara, ekspertizat mjeko-ligjore është në fund edhe ekspertiza e komunikacionit edhe tani e presim edhe ekzaminimin e këtij kamionit”, tha Manastiri për KALLXO.com.

KALLXO.com vazhdimisht kishte raportuar në lidhje me aksidentin në Gjilan i cili i mori jetën një qytetari, lëndoi 26 persona dhe shkaktoi dëme materiale.

Shoferi i kamionit dhe pronari i kompanisë së ujit, janë arrestuar dhe të njëjtit janë në paraburgim.