Distria Krasniqi

VIDEO - Distria Krasniqi me sytë kah Lojërat Olimpike

Distria Krasniqi në Grand Slam-in në Abu Dhabi në kategorinë e 48 kilogramëve ka fituar medaljen e argjendtë, duke u shpallur nënkampione.

23 vjeçarja nga qyteti i xhudos, Peja, shkoi sigurt në finale ku u mund me Ippon nga garuesja e Mongolisë, Uransteseg Munkhbat.

Krasniqi tha në një intervistë për KALLXO.com disa ditë pas kthimit në Pejë se garimi i saj në kategorinë e senioreve e ka sjellë në një botë tjetër, në përballje me garuese më të forta.

“Konkurrenca e seniorëve është gjithmonë më e fortë. Në U21 dhe U23 e kam marrë medaljen e artë për juniorë dhe për senior të rijn. Ndërsa për seniorë dihet që konkurrenca është gjithmonë më e fortë  sidomos në garat Grand Slam dhe Grand Prix, ku kam marrë shumë medalje”, thotë Distria Krasniqi.

Ajo thotë se synimi i saj aktual është mbledhja e pikëve olimpike.

“Tashti janë me ma rëndësi sepse mblidhen pikët olimpike, kështu që ka qenë konkurrenca e fortë dhe jam e kënaqur me performancën”, thotë Distria e cila muaj më parë ka shijuar të artën në garat mesdhetare.

“Hera e parë që kemi marrë pjesë si shtet, ka qenë një kënaqësi e madhe që kam marrë medalje dhe ajo medalje ka qenë e artë. Kënaqësia më e madhe ka qenë që e kam mposhtur kampionen olimpike që u ndesh tash Majlinda në finale, italianen, ka qenë një kënaqësi që e kam mundur atë në finale dhe jam radhitur e parë”, tregon Krasniqi për Kallxo.com.

Fituesja e medaljes së artë në Lojërat e 18-ta Mesdhetare në Tarragona të Spanjës në kategorinë -52 kilogramë tregon se si është të stërvitesh me kampionet si Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova dhe se ëndrra e saj ka qenë të garojë në nivelit e këtyre dyjave.

“Është një motivim shumë i madh, me pasë një ekip të tillë dhe me qenë pjesë e një ekipi të tillë. Unë kur kam qenë juniore e kam pasë ëndërr me garu në garat ku kanë garuar Majlinda edhe Nora dhe tashti që jam pjesë e atij ekipi është një ëndërr e bërë në realitet”, thotë Distria Krasniqi.

Prania e saj krah emrave të njohur të xhudos kosovare e bën edhe më të motivuar.

Distria Krasniqi

“Normal është një motivim shumë i madh dhe gjithmonë më kanë ndihmuar shumë, Majlinda, Nora, sidomos trajneri me u ngritë si xhudiste. Stërvitjet që i bën trajneri ynë dhe programet që i bën ai janë shumë të vështira dhe kërkon disiplinë, nëse nuk kish qenë kështu këto rezultate nuk kishin ardhë. Ne ushtrojmë dy herë në ditë, ndodh edhe tri here, stërvitjet janë shumë të forta, pra rezultati po tregon vet”, tregon në detaje Krasniqi.

Ajo ka folur edhe për garën e ardhshme në Uzbekistan që zhvillohet pas dy javëve duke thënë se është  e gatshme.

“Jemi duke u përgatitur shumë. Tashmë veç fillon ajo periudha e garave dhe mbledhja e pikëve olimpike, gjithmonë jam e përgatitur dhe synoj për medalje. Për mua së pari me rëndësi është që e kam ndërruar kategorinë, është me rëndësi me u adaptu, qysh kam filluar tashmë me adaptua në këtë kategori edhe me mbledh sa ë shumë pikë olimpike, me rëndësi është kualifikimi, kur të kualifikohem në Tokyo do të shkoj për medalje” thotë ajo.