Gjykimi i drejtorit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave – Foto: KALLXO.com

VIDEO: Dënohet me burg drejtori i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave

Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me një vit burgim drejtorin e Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH), Avdylkadër Muçaj, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas Prokurorisë, Muçaj ka lëshuar një vendim i cili ka të bëjë me revokimin e licencës për transport hekurudhor të mallrave për ndërmarrjen “Railtrans”, me seli në Prishtinë.

Në aktakuzë  thuhet se ky veprim i kundërligjshëm i Avdylkadër Muçaj i kishte sjellë përfitime operatorit të vetëm publik dhe monopolist “Trainkos”, duke e dëmtuar kështu kompaninë “Railtrans” me vlerë prej 1.2 milion euro.

Kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri ka deklaruar se dënimi do të ekzekutohet brenda 15 dite pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kurse pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil, ndërsa Muçaj është obliguar që t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale si dhe shumën prej 200 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Më rastin e shpalljes së aktgjykimit të pranishëm ishin prokurori special Sylë Hoxha si dhe i akuzuari Avdylkadër Muçaj me mbrojtësin e tij Ramë Gashin.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në tetor të vitit 2015 kishte ngritur aktakuzë ku pretendon se Muçaj, në cilësinë e drejtorit të Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të Autoritetit Regullativ të Hekurudhave, ka lëshuar një vendim në kundërshtim me ligjin.

Ky vendim i 31 marsit 2014  ka të bëjë me revokimin e licencës për transport hekurudhor të mallrave për ndërmarrjen “Railtrans” L.L.C., me seli në Prishtinë.

Në aktakuzë  thuhet se ky veprim i kundërligjshëm i Avdylkadër Muçaj i kishte sjellë përfitime operatorit të vetëm publik dhe monopolist “Trainkos”, duke e dëmtuar kështu kompaninë “Railtrans” në vlerën prej 1.2 milion euro.

Me ç’rast  me këtë veprim sipas Prokurorisë ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.