Prokurorja e rastit, Rozelinda Manastiri, Foto: KALLXO.com

Video: Cilat prova përdori Prokuroria kundër hetuesit policor nga Gjilani

Në emisionin e sotëm të “Drejtësia në Kosovë” u shfaq reportazhi ekskluziv i punës së Prokurorisë për zbulimin e një shantazhi në të cilin kishte qenë i përfshirë një polic hetues nga rajoni i Gjilanit.

Hetuesi policor që nga viti 2016 kishte shantazhuar mërgimtaren me disa video incizime të cilat I kishte shfrytëzuar për t’i dërguar para.

Pas arrestimit të të dyshuarit, prokurorja Rozelinda Manastiri tregon hapat dhe procedurat e kërkesës për paraburgim ndaj të dyshuarit.

“Sapo përfundoi seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit.Ne si prokurori para gjykatësit të procedurës paraprake kemi paraqitur të gjitha ato prova dhe dëshmi që e mbështesin dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale. Ndër provat të cilat janë kryer kanë qenë masat e fshehta, transferet financiare që i njëjti I ka bërë mes të dëmtuarës dhe të pandehurit. Ato tregojnë se pas kërcënimeve që i ka marrë e dëmtuara është detyruar që ti dërgoj të dyshuarit para. Pastaj kemi edhe ekzaminimet nga Agjencioni i Forenzikës, si telefonat nga ku kanë dalë këto video incizime, fotografi, komunikimi mes tyre. Gjithashtu kemi pasur edhe raportin e mjekësisë i cili tregon se e dëmtuara ka pësuar lëndime trupore nga dhuna fizike”, tha Manastiri.

Prokurorja Manastiri tregon edhe se sa është e rëndësishme që të paraqiten rastet e shantazhit.

“Duke pasur parasysh se kjo vepër penale kohën e fundit ka ngritje e sipër dhe ka për qëllim dëmtimin e të dëmtuarve, me metoda të ndryshme detyron të dëmtuarit që të veproj në dëm të tij dhe i dyshuari të përfitoj nga kjo. I inkurajoj qytetarët që të lajmërojnë rastet”, apelon prokurorja Manastiri.