Bastisjet e ATK-së në Veri - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Bastisjet në Mitrovicën Veriore për Vjedhjen Tatimore

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kësaj radhe transmetoi pamjet ekskluzive të aksionit të bastisjeve në Mitrovicën Veriore, të udhëhequr nga prokurori i shtetit Sahit Tmava nga Prokuroria Themelore të Mitrovicës.

Ky aksion u realizua në bashkëpunim me hetuesit e Administratës Tatimore të Kosovës, të mbështetur nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, nga stacioni i Mitrovicës së Veriut.

Aksioni që u xhirua nga ekipi i “Drejtësia në Kosovë” kishte për qëllim bastisjet në katër lokacione në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimet se kompani nga kjo pjesë e Kosovës kanë dëmtuar buxhetin e shtetit duke iu shmangur tatimeve përmes faturave fiktive.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, gjatë bastisjeve janë gjetur shumë dëshmi të cilat do të procedohen nga hetuesit e ATK-së në koordinim me prokurorin e shtetit nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës Sahit Tmava.

Sipas gjetjeve në terren del se buxheti i shtetit është dëmtuar nga veprimtaritë e dyshimta të bizneseve që kishin lëshuar fatura fiktive për bizneset që operojnë në pjesën jugore të vendit.

Bastisjet në lokacionet e dyshuara janë kryer me sukses dhe pa ndonjë vështirësi, apo rezistencë nga ana e të dyshuarve.

Sipas gjetjeve kompani në dy anët e Ibrit kanë arritur të ndërtojnë një sistem financiar i cili garantonte për ta fitime milionëshe duke iu shmangur tatimeve të shtetit.

Skema funksiononte duke përdorur fatura në të cilat shkruhet se kompanitë nga jugu kanë blerë mallra në veri ndërsa në fakt malli asnjëherë nuk është blerë.

Në këtë mënyrë kompanitë kanë arritur t’i rrisin shpenzimet e tyre financiare duke krijuar kështu mundësinë që në një sistem të koklavitur financiar ata të mos i paguajnë tatimet të cilat i kishin ndaj shtetit.

Sistemi i mashtrimit financiar ende nuk është llogaritur se sa dëme i ka shkaktuar buxhetit të Kosovës por hetimet tashmë kanë nisur ndërsa provat për transaksionet financiare janë grumbulluar në një dosje hetimore e cila pritet të marrë me vete “peshq të mëdhenj”.