VIDEO: Banorët e Shipitullës kërkojnë përmbushjen e premtimeve për punësim në KEK

Banorët e lagjeve Mjekiqi, Krasniqi dhe Berbatovci në fshatin Shipitullë të Obiliqit kanë protestuar sot duke kërkuar përmbushjen e një premtimi të dhënë nga kryeministrit Ramush Haradinaj për përparësi në punësime në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Banorët në shenjë proteste për mospërmbushjen e këtij premtimi sot ndaluan punën e njërit ekskavator të KEK-ut.

Besart Mjeku, njëri nga protestuesit, ka treguar për KALLXO.com arsyet e kësaj proteste.

“Arsyeja pse jemi në protestë është mos përmbushja e premtimit të kryeministrit për punësim. Dje kemi mbajtur protestë para Qeverisë, as kryeministri, as këshilltarët e tij nuk ka dal me na taku”, ka treguar Mjeku.

Ai tutje ka shtuar se nëse ka nevojë do të burgosen për këtë, sepse sipas tij ata kanë dhënë tokë me marrëveshjen se do të punësohen.

Edhe Albion Mjekiqi, banor i Shipitullës, ka treguar se në katër konkurse radhazi që janë hapur nga KEK, ata nuk janë marrë parasysh.

“Katër konkurs kanë qenë, të gjithë janë anuluar, asnjëri prej kësaj zone nuk jemi punësuar”, ka thënë Mjekiqi për KALLXO.com.

Disa orë më pas, në vendin ku mbahej protesta, erdhën forca të shtuara të Policisë së stacionit të Obiliqit, dhe pjesëtarë të Njësisë Speciale.

Pas një bashkëbisedimi mes komandantit të stacionit të Policisë në Obiliq, Sejdi Zariqi, dhe protestuesve, ata u dakorduan që nesër pesë përfaqësues nga protestuesit të shkojnë në takim te komandanti për të shprehur pakënaqësinë e tyre.

Pas këtij bashkëbisedimi protestuesit u shpërndanë në mënyrë të qetë nga vendi ku po mbahej protesta dhe ekskavatori i KEK-ut e filloi punën.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës për protestën  e cila po mbahej në Shipitullë.

https://kallxo.com/videoshipitulla-ne-proteste-kerkojne-permbushjen-e-premtimeve-per-punesim/