Avokati Ali Latifi dhe pikturat e tij - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Avokati që pikturon të rënët në demonstrata

Zyra e avokaturës së Ali Latifit në Prishtinë nuk ka vetëm libra e fjalorë që i duhen një juristi për ta mbrojtur një lëndë në gjykatë.

Avokatura e Latifit, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë mban brenda vetes mbi 20 piktura të punuara nga vetë avokati.

Personazhet e tij me të cilët Latifi e nis dhe e mbyll ditën, janë viktimat e dy ditëve të protestave në kohën kur shqiptarët e Kosovës kishin dalë në rrugë për ta mbrojtur autonominë e suprimuar nga Serbia pas ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës së vitit 1974.

Janë 25 portrete të të vrarëve gjatë demonstratave të 27 dhe 28 marsit të viti 1989 të varura në murin e avokaturës së tij.

Ato i rikthejnë Ali Latifit në kujtesë kohën e para tri dekadave, kur si gjykatës u përball me kërkesën e organeve të atëhershme që të dënonte demonstratat asaj kohe, së bashku me viktimat.

Por ai zgjodhi ta bëjë të kundërtën, dënimin e reprezaljeve dhe vrasjen e shqiptarëve.

Pasojat e kësaj i barti më vonë, gjatë shumë viteve.

Avokati Latifi tregon për KALLXO.com se ato zhvillime nuk kaluan pa ndikim në jetën e tij.

“U vranë 25 veta, 603 u plagosën dhe 1200 veta u burgosën me urdhër administrativ të ish Sekretarit të Brendshëm të ish Jugosllavisë, Serbisë. Këta të burgosur i dërguan në Leskovc”, thotë Latifi.

Këto ngjarje bënë që herë pas here avokati Latifin, në kohë të lirë në fshatin e tij të lindjes, të pikturonte viktimat e asaj ngjarje, që për të kanë një domethënie të madhe.

Ai thotë se shoqëria në Kosovë u ka borxh të madh këtyre viktimave.

“Ju jeni të parët që vizitoni një ekspozitë të tillë. Andaj i ftoj të gjithë ata të cilët dëshirojnë t’i shohin martirët e parë të këtij kombi janë këta të cilët unë jetoj për çdo ditë në zyrën time”, thotë ai.

Avokati thotë se në vazhdimësi ka pikturuar portretet e të rënëve nga forcat policore ushtarak serbe, dhe ka një opus të madh sa për ta bërë një ekspozitë në një nga galeritë e vendit.

Por nga i erdhi zelli për të pikturuar një juristi?

“Merrem edhe me akuarel, piktura, grafikës, por meqë grafika është më e lehtë dhe mund ta jap atë pamje që dëshiron me pa në letër. Thënë të drejtën, me çdonjërin që e kam pikturuar, unë kam fol me të dhe deri sa ai më ka folë dhe kam marrë përgjigjen prej tij, e kam përfundu në ato pika që jep pamjen e tij”, thotë avokati Ali Latifi.