Hysni Gashi, sekretar i Këshillit Grevist në “Selmans Network”

(VIDEO) Arsyet e grevës së punëtorëve të pastrimit në UP

Më 19 shtator të këtij viti, punëtorët e pastrimit dhe mirëmbajtjes në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”  hynë në grevë me arsyen kryesore, vonesën e pagës nga kompania “Selmans Network”.

Përveç kësaj, këta punëtorë akuzuan kompaninë punëdhënëse se i detyroi të punojnë edhe në objekte jashtë kampusit universitar.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë “Selmans Network”, Kujtim Selmanaj ka thënë për KALLXO.com se arsyeja e vetme që punëtorët e tij kanë hyrë në grevë ishte vonesa e pagës së muajit gusht të këtij viti.

“Nuk është hera e parë që ndodhë, afërsisht pesë vite që kemi kontratë ose i kemi këta punëtorë në marrëdhënie pune, në bazë të konfirmimeve këtë vit ka ndodhur dy herë dhe viteve të tjera ka ndodhur edhe tri herë të tjera d.m.th. diku pesë herë, për pesë vite ka ndodhur një vonesë e tillë”, ka thënë Selmanaj.

Sipas drejtorit të kësaj kompanie, ai kishte informuar sindikatën e punëtorëve për vonesën e pagës së muajit gusht, megjithëse pranon se një një pjesë e punëtorëve ishin paguar.

Dikush që e ka marrë pagën nuk ka hy në grevë e dikush që nuk e ka marrë pagën ka hy në grevë. Jemi vonuar pak me një pjesë të punëtorëve, nuk do me thënë që jemi vonuar për të gjithë por për një pjesë po., deklaroi ai.

Ndërkaq, Shpëtim Syla, kryetar i Sindikatës dhe Këshillit Grevist të Punëtorëve të kësaj kompanie tregoi se si kishte ardhur deri te greva.

 “Në mbledhjen e mbajtur me 13.09.2018 , punëtorët kanë pasur një kërkesë ose pakënaqësi ku paga është vonuar dhe ne i kemi paralajmëruar se me datën 19.09.2018 do të hyjmë në grevë kur prej asaj date një pjesë të punëtorëve kanë marrë pagat dhe pjesa tjetër që ka hy në grevë nuk kanë pasur paga.”, ka thënë Syla.

Në anën tjetër, Hysni Gashi, sekretar i Këshillit Grevist ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se kjo nuk ishte hera e parë që atyre iu vonua paga.

Është krijuar një mosbesim mes punëtorëve, dihet edhe situata e ka bë të vetën. Problemi më i madh ka qenë fillimi i vitit të ri shkollor, pak gjendja e punëtorëve të universitetit është e ligshtë, pagat janë shumë të vogla, në ekstrem janë të vogla për një jetesë me e shkollu një fëmijë ose një sëmundje. Kemi njerëz brenda UP-së që kanë familjarë të sëmurë edhe kanë fëmijët me i çu në shkolla edhe normal që e ka rrit pak tensionin edhe mosbesimin mes kompanisë edhe punëtorëve.”, tha Gashi.

Sa i përket lëvizjes së punëtorëve nga Kampusi Universitar për në ndërtesa të tjera, Syla deklaroi se këto lëvizje janë bërë me vullnet të punëtorëve që kanë dashur të marrin para shtesë.

Pas ankesave nga disa punëtorë sekretari i Këshillit Grevist, Hysni Gashi tregoi që ishte marrë vendim që të mos lejohet dalja e tyre jashtë UP-së pos me kërkesë personale.