VIDEO - A janë nga baballarë shqiptarë të gjithë fëmijët e rikthyer nga Siria?

Sonte në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan ekskluzivisht detaje e dëshmi për 4 burrat, 32 gratë dhe 74 fëmijët të cilët pikërisht një javë më parë janë rikthyer nga zonat e konfliktit në Siri.

Koordinatori Nacional kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit, Fatos Makolli tregoi edhe për dosjet të cilat u përdorën nga institucionet e drejtësisë e të cilat janë nga FBI.

“Unë në cilësinë e koordinatorit nuk mund të jap detaje për dosjet e dëshmitë që tani për tani i administrojnë Prokuroria Speciale por sigurisht që ekziston një bashkëpunim i ngushte me institucionet e ligjit me vendet e tjera. Edhe FBI është partner i Policisë së Kosovës në këtë çështje”, tha Makolli.

Ai shtoi se plani ka qenë i detajuar.

“Ka qenë një proces i detajuar i identifikimit, siç e dini institucionet e sigurisë kanë qenë në dijeni në detaje për kosovarët që kanë udhëtuar në zonat e konfliktit duke konsideruar edhe lëvizjet e tyre në zonat e ndryshme dhe ka qenë një pasqyrë e qartë për të gjithë kosovarët që ku gjendet. Edhe procesi i verifikimit ka qenë i verifikuar i gjithë ky proces ka kaluar në katër faza”, shtoi ai.

Sipas Makollit, institucionet e sigurisë në Kosovë kanë pasur të dhëna të saktë për fëmijët që kanë lindur në zonat e konfliktit në Siri.

“Siç e thash të gjitha këto informacione janë konfirmuar e ri konfirmuar në disa faza dhe është marrë vendimi që ata të kthehen në Kosovë. Tani është çështje  e Kosovës që ti adresojnë këto çështje sepse siç e dini sipas kushtetutës nëse njëri fëmijë është i lindur nga babai kosovar edhe fëmija mund të ketë shtetësi kosovare. Sipas të dhënave të para që posedojmë të gjithë fëmijët e rikthyer, shumica e tyre kanë dy prindërit kosovar janë disa raste që nënat janë kosovare por babai jo kosovar, mirëpo sipas informacioneve të gjithë janë shqiptar por nga vende të ndryshme të rajonit”, tha ai.

Javën e kaluar në një aksion i cili mund të konsiderohet si një ndër aksionet më të mëdha antiterror në Kosovë, janë rikthyer 110 kosovar të cilët gjendeshin në zonat e konfliktit në Siri.

4 burra një nga ta i mitur, 32 gra e 74 fëmijë janë rikthyer me një aeroplan mesnatën e së premtes dhe të së shtunës.

Burrat janë arrestuar po atë natë dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë ku më pas i është caktuar masa e paraburgimit ndërsa gratë dhe fëmijët janë dërguar në Qendrën e Azilit në Vranidoll ku më pas janë mbajtur procese gjyqësore për caktimin e masë së sigurisë ndaj grave të rikthyera.

Nëntë nga fëmijët e rikthyer janë pa asnjërin prind.