Ndërtimtari - Foto: KALLXO.com

VIDEO: 1 Maji, Kosova me numër shqetësues të vdekjeve në punë

Për dallim nga shumë vende të botës, ku Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve shfrytëzohet për protesta masive me kërkesa për përmirësimin e kushteve të punës, në Kosovë, zakonisht, për 1 Maj, sindikatat dhe punëtorët dalin për shëtitje në natyrë, përkundër se ka shumë arsye për të protestuar.

Megjithatë, për sot, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka paralajmëruar protestë para ndërtesës së Qeverisë.

Mungesa e kontratës kolektive, rritja e pagës minimale, mungesa e sigurimit shëndetësor, vdekjet në vendin e punës… janë vetëm disa nga arsyet e përmendura për këtë protestë, që do të fillojë nga ora 11:00.

Vdekjet e punëtorëve në vendet e punës është një dukuri që po e shoqëron Kosovën në vazhdimësi.

Sipas Inspektoratit të Punës që nga fillimi i vitit në Kosovë 3 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës.

Krenar Jemini, i cili më 11 maj do t’i mbushte 22 vjet, humbi jetën në vendin e punës në muajin shkurt.

Motra e tij e madhe, Ilda, thotë se për shkak të kushteve jo të mira të punës, Krenari kishte menduar të mos vazhdonte punën.

Ilda Jemini – Motra e Krenar Jeminit i cili humbi jetën në vendin e punës

Ilda Jemini – Motra e Krenar Jeminit 0 cili humbi jetën në vendin e punës

Sipas saj, ai kishte aplikuar në konkurset në Polici dhe FSK, e madje kishte synuar edhe një vizë pune për Gjermani.

“Planet i ka pasur me lanë punën në fund të shkurtit. Edhe katër ditë ka pasë me punu dhe me ndërpre se FSK-ja u kanë qatëherë, ka pasë me vazhdu me fitnes për me u përgatit për testet e FSK-së…”, thotë ajo.

Inspektorati i Punës kishte gjetur disa shkelje në kompaninë ku vdiq Krenar Jemini.

Sipas familjarëve të Krenarit, ai kishte një kontrate pune kur kishte filluar për herë të parë punën, por për herën e dytë ata nuk kanë ndonjë kontratë pune.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për vdekjen e të riut në kompaninë e derivateve “Lab-Oil”.

Inspektorati i Punës një muaj pas rastit tragjik kishte dalë me një raport në të cilin kishte gjetur pesë shkelje nga kompania.

Për shkeljet e gjetura, kompania u dënua me një gjobë prej 9.500 eurove.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria e Prishtinës është duke pritur raportin e autopsisë dhe kallëzimin penal për të nisur hetimet.

Kështu tha për KALLXO.com Laureta Ulaj, zëdhënëse e kësaj Prokurorie.

Një rast tjetër që përfundoi me fatalitet për punëtorin është ai i të riut Visar Behrami, i cili vdiq nga shembja e një pjese të ish-hotelit “Adriatik” në Mitrovicë.

Dy persona janë në paraburgim lidhur me këtë rast tragjik që ndodhi më 21 prill.

Rasti tragjik nxori në pah shumë parregullsi me të cilat përballen punëtorët kosovarë.

Së pari doli se 27-vjeçari nga Vidimiriqi i Mitrovicës nuk kishte kontratë pune. Pastaj, kompania që po i kryente punët nuk ishte e regjistruar si biznes, e krejt në fund as punëdhënësi nuk kishte leje nga autoritetet komunale për të bërë ndryshimet në objekt.

Lidhur me këtë rast për KALLXO.com ka folur Faruk Mujka, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut.

Sipas tij, pas aksidentit tragjik, Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka krijuar një komision për të konstatuar gjendjen.

“Gjetjet e komisionit janë se ky objekt nuk i përmbushë asnjë kusht të sigurisë dhe se duhet të rrënohet sa më shpejt dhe këtë mendim do t’ia paraqesim komisionit komunal për siguri në bashkësi dhe nëse është nevoja edhe Prokurorisë dhe Policisë dhe të gjithë së bashku të marrim një vendim”, ka thënë Mujka.

“Sipas informatave që i kemi, pronarët që e kanë privatizuar objektin ndërkohë ia kanë dhënë me qira një biznesmeni për të hapur një lokal, kam dëgjuar butik, dhe pastaj ai ka angazhuar një kompani të palicencuar dhe me punëtorë krahu të marrë në pazar për me i bë disa renovime. Gjatë rrënimit të mureve ka ardhur edhe deri te shembja e objektit”, thotë nënkretari i Mitrovicës.

Ndërsa, sa i përket numrit të të vdekurve në vend të punës ka dallime ndërmjet Inspektoratit të Punës dhe Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.

Basri Ibrahimi – Kryeinspektor i Punës

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, thotë se këtë vit në vendin e punës kanë vdekur 3 punëtorë.

Ndërsa, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat thotë se më 2019 në vendin e punës kanë vdekur 8 punëtorë.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat

Azemi ka thënë se ua kanë tërhequr vërejtjen institucioneve se nuk po punohet aspak për edukimin dhe trajnimin e punëtorëve dhe punëdhënësve.

Kurse, Naim Bajraktari, ekspert në kompaninë HSK për siguri dhe shëndet në punë, tregon shkaqet për numrin e madh të vdekjeve në vendin e punës.

“Sipas statistikave që i kemi, nga viti i kaluar deri më tani, (viktima) kryesisht janë të moshave të reja dhe kemi ardhur në përfundim se mosha e re është e paedukuar dhe jo vetëm mosha e re, por çdo i punësuar por sidomos mosha e re, nuk ka bërë asnjë trajnim rreth punësimit dhe kryerjes së punimeve, as mosha e vjetër por ata të paktën e shfrytëzojnë përvojën e punës”, thotë Bajraktari.

Naim Bajraktari, ekspert në kompaninë HSK

Bajraktari thotë se vetëm një numër i vogël i kompanive u kanë ofruar punëtorëve trajnime për siguri në punë. Në këtë drejtim, sipas tij, nuk është më mirë as sektori publik.

Një arsye tjetër pse punëtorët kosovarë po përballen me gjithë këto probleme është edhe numri i vogël i inspektorëve të punës që do të kontrollonin respektimin e të drejtave të tyre.

Sipas Kryeinspektorit të Punës aktualishtë janë 40 inspektorë dhe gjatë këtij viti pritet të shtohen edhe 20 të tjerë.

Ndërtimtari – Foto: KALLXO.com