Vitore Tusha | Foto: LSA

Vetingu: Vitore Tusha Konfirmohet në Gjykatën Kushtetuese

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga Alma Faskaj, Valbona Sanxhaktari dhe Xhensila Pine konfirmoi të enjten në detyrë gjykatësen e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha – e cila u bë dhe gjyqtarja e parë që merr një vlerësim pozitiv nga procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Në përfundim të procesit të rivlerësimit trupa gjykuese konfirmon në detyrë subjektin e rivlerësimit Znj. Vitore Tusha”, deklaroi Alma Faskaj duke lexuar vendimin.

Vitore Tusha është gjyqtarja e tretë nga Gjykata Kushtetuese që përballet me procesin e rivlerësimit kalimtar – ose siç njihet ndryshe procesi i vetingut, pas Besnik Imerajt dhe Fatos Lulos.

Imeraj dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor dhe u referua nga Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit në prokurori, ndërsa Fatos Lulo u shkarkua nga detyra pasi dispononte pasuri të pajustifikuar.

Përveç dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, tre gjyqtarë të tjerë – Ilir Pashaj, Ilir Çeliku dhe Mirela Fana, kanë dhënë dorëheqjen duke humbur të drejtën të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë për një periudhë 15 vjeçare.

Dorëheqjen nga sistemi ka dhënë dhe ish-prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla – i cili po hetohet nga Prokuroria e Durrësit për pastrim parash. Llalla i ka mohuar akuzat duke i etiketuar ato si të motivuara politikisht.

Tusha është diplomuar në vitin 1983 në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

Nga viti 1983 deri në vitin 1990 ajo ka punuar si përmbaruese gjyqësore në Tiranë dhe prej 1990 deri në 1992 si avokate.

Në periudhën 1992-1994, Tusha ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Tiranës dhe në vitet 1994-2001 atë të gjyqtares në Gjykatën e Kasacionit – ku nga viti 1999 deri në vitin 2001 ka udhëhequr kolegjin civil të kësaj gjykate.

Znj. Tusha ka një karrierë të gjatë akademike.

Nga viti 1986 e në vazhdim ka qenë lektore e së Drejtës Civile dhe Procedurës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollës së Magjistraturës.

Ne vitin 2008 ajo u zgjodh gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.

05 Prill 2018 - 11:46

Besar Likmeta, BIRN Tiranë 05/04/2018 - 11:46
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend