Vetëvrasjet e mistershme të policëve në Pejë

Brenda këtij viti në rrethana të paqarta një polic nga Peja dyshohet se vrau vetën ndërsa një tjetër tentoi të vetëvritej. Në mëngjes policia njoftoi se një zyrtar i Policisë në Pejë është plagosur rëndë me armë zjarri në një incident që ka ndodhur në shtëpinë e tij në fshatin Brestovik.

Sipas kryeprokurorit të Pejës, Agim Kurmehaj, polici dyshohet se e ka qëlluar veten me armë zjarri.

“Një polic në fshatin Brestovik të Pejës, dyshohet se e ka qëlluar veten. Këto janë pistat fillestare. Nesër pritet të dalim së bashku me Policinë me një komunikatë lidhur me këtë rast”, tha Kurmehaj për KALLXO.com.

Si pasojë e plagëve të rënda, polici rreth 50-vjeçar, pas trajtimit të parë të marrë në Emergjencën e Spitalit të Pejës, është dërguar për trajtim në QKUK.

Drejtori i Kirurgjisë Torakale, Saudin Maliqi, tha sot për KALLXO.com se polici është pranuar në gjendje të rëndë, mirëpo pas intervenimit ai është jashtë rrezikut për jetën.

Mjeku tha se viktima ka dy plagë afër zemrës dhe se i është prekur mushkëria.

Rasti që ndodhi sot në orët e paradites nuk është i vetmi që një zyrtar policor i rajonit të Pejës ka qëlluar veten me armë zjarri.

Javë më parë, një tjetër polic u gjet i vdekur pasi ishte qëlluar me armë zjarri.

Pjesëtari i Policisë Kufitare, A.Xh., 42-vjeçar, dyshohet se është vetëvrarë. Rrethanat e këtij rasti ende nuk janë zbardhur poashtu edhe motivet. Polici që dyshohet se tentoi të vetëvritej punonte në Pejë ndërsa A.Xh. punonte në njësitë kufitare.

https://kallxo.com/pejepolici-qe-dyshohet-se-u-vetevra-punonte-ne-kufi/

www.kallxo.com