Vetëvrasje në Gjilan

Prokuroria e Gjilanit, njofton se një person i moshës 60 vjeçare, ka kryer vetëvrasje, ndërsa, një person tjetër i moshës 27 vjeçare, si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike ka humbur jetën.

“Dyshohet se më 20 korrik 2019, rreth orës 4h të mëngjesit, në komunën e Vitisë, një person i moshës 60 vjeçare, nga fshati Tërpezë, për shkak të problemeve familjare ka kryer vetëvrasje, duke e goditur vetveten me armë zjarri, në pjesën e kokës. I ndjeri është gjetur nga një dëshmitar në skaj të rrugës, pa shenja jete”, njofton Prokuroria e Gjilanit.

Në njoftim bëhet e ditur se policia, prokurori dhe mjeku kujdestar, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë.

Poashtu Prokuroria bën të ditur se janë sekuestruar përkohësisht: Një (1) automjet, i markës ‘’Opel Astra’’, një (1) armë e llojit ‘’Browning’’, kalibër 7.65 mm, një (1) gëzhojë kalibër 7.65 mm, si dhe, një (1) karikator me shtatë (7) fishekë, të së njëjtës armë.

Poashtu, gjatë ditës së djeshme, më 19 korrik 2019, dyshohet se një person, i moshës 27 vjeçare, nga komuna e Kamenicës, si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike, në një trafo elektrike, në fshatin Breznicë, ka humbur jetën.

I njëjti është raportuar si person i zhdukur nga data 17 korrik 2019, ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i të ndjerit është dërguar për obduksion në IML, në Prishtinë.