Vetëvendosjes në Gjilan i Ndahet një Asambliste

Vala e dorëheqjeve nga Lëvizja Vetëvendosje ka filluar të prekë edhe asambletë komunale ku përfaqësohet kjo parti.

Festa Shabani, asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjlan ka dhënë dorëheqje nga kjo parti duke vazhduar si asambliste e pavarur në Kuvendin Komunal.

Përmes një statusi në Facebook, Shabani ka bërë të ditur se arsyeja për largimin e saj ishte sharjet që i ishin bërë pasi ajo votoi kundër grupit të LVV-së për ndryshimin e statutit të Komunës së Gjilanit

“Menjëherë pas seancës, filluan sharjet dhe ofendimet ndaj meje nëpër Facebook, nga aktivistë të ndryshëm të Lëvizjes, madje duke më quajtur edhe “shërbëtore të Lutës”, pavarësisht që vota ime nuk ishte vendimtare, por ishte votë me bindje në ato që i kemi thënë deri sot. Kjo është tepër e ultë, dhe nuk kam menduar ndonjëherë se do të ndodhë në Lëvizje. Aq më pak në Gjilan, në një qytet kaq të vogël, ku njihemi mirë mes vete dhe i dimë qëndrimet dhe historinë e njëri-tjetrit”, shkroi Shabani.

Ajo theksoi se megjithë problemet me të cilat ishte përballur Lëvzja Vetëvendosje muajve të fundit, ajo kishte besuar se kjo nuk do ta afektonte Gjilanin.

“Pas 6 viteve angazhim në Lëvizje, nuk do të jem më pjesë e strukturave të saj. Megjithatë, duke pasur shumë respekt për asambleistët tjerë të Lëvizjes në Gjilan, shpresoj se do të gjejmë hapësira bashkëpunimi për temat e përbashkëta në Kuvend. Falënderoj qytetarët e Gjilanit për besimin e dhënë në tetor të vitit të kaluar, dhe zotohem se do të vazhdoj të ngris tema të interesit të përgjithshëm nëpër seancat e Kuvendit Komunal”, përfundoi Shabani.

KALLXO.com kishte raportuar lidhur me pavendosmërinë e asamblistëve të LVV-së në Gjilan lidhur me qëndrimin në strukturat partiake.

http://kallxo.com/asamblistet-e-vv-se-gjilan-mes-vendosmerise-dhe-tundimit/