Anëtarë të VV-së duke votuar për kryetar të partisë - Foto: KALLXO.com

Vetëvendosje Voton për të Zgjedhur ose Jo Kurtin Kryetar

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje po votojnë sot për të zgjedhur kryetarin e tyre për 3 vitet e ardhshme.

Në të gjitha pikat e Lëvizjes Vetëvendosje si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë është duke u votuar për të parin e kësaj partie.

Përveç anëtarësisë, në këto zgjedhje të brendshme do të votojnë edhe aktivistët studentë të cilët i takojnë organizatës studentore SKV (Studim, Kritikë, Veprim), të cilët kanë kuti të veçantë ku i fusin votat e tyre.

Njëri nga anëtaret e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Asllani që u pa duke votuar në zgjedhjet e brendshme, tha për KALLXO.com se edhe pse është vetëm një kandidat, ka demokraci në Vetëvendosje.

“Procesi është i rregullt, është i qetë. Është demokratike, aty i ke tre opsionet, për, kundër dhe abstenim. Do të ishte më mirë të kishte edhe një kundërkandidat, por nuk besoj që do i cenohej pozita e kryetarit”, tha Asllani.

Sipas një komunikate të Lëvizjes Vetëvendosje deri më tani gjithçka ka shkuar në rregull me procesin e votimit.

Vendvotimet do të mbyllen në orën 19:00.

Në këto zgjedhje është vetëm një kandidat, Albin Kurti.

Votuesit mund të votojnë për Albin Kurtin Kryetar, mund të kundërshtojnë zgjedhjen e tij dhe mund të abstenojnë.