Vetëvendosje thotë se Veseli u tregua frikacak, kërkon dorëheqjen e tij

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas konferencës së jashtëzakonshme të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Në videon që doli në media, në emër të Kadri Veselit kërkohet para e paligjshme, si haraç a si fajde, nga anëtarë organizatash kriminale. E reagimi i kryetarit të Kuvendit ishte, për të thënë të paktën, frikacak: ai tha se po të vërtetohet se është pjesë e këtij rasti kriminal do të japë dorëheqje”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

“Gjithë Kosova e gjithë bota e di se po të vërtetohet që Veseli është pjesë e rastit kriminal, nuk shkon në dorëheqje por drejt e në burg. Dorëheqja është akt moral, që bëhet për t’i hapur rrugë hetimeve. Pra, kur emrin ta përmendin si kërcënim për fajde, duhet të jetë dorëheqja para hetimeve, e jo hetimet para dorëheqjes”, thuhet tutje në reagimin e Vetëvendosjes.

Kjo parti ka ngritur edhe disa pyetje, për siç thanë ata, mos ngritjen e hetimeve deri më tani në rastin e “fajdeve”.

“Pse nuk ka hetuar asnjë prokuror më përpara mbi këtë video? Sepse prokurorët e sistemi i drejtësisë i tuten Kadri Veselit. Sepse ky dhe njerëzit e tij, siç dihet nga rasti “pronto”, e kanë vendosur në krye të prokurorisë një njeri që u bindet. Prandaj mjaft me hipokrizi, ku Veseli e shërbëtorët e tij të cilëve po u del kriminaliteti në shesh, bëjnë thirrje për drejtësi e vetting”, deklaron partia e Albin Kurtit.

Tutje, Vetëvendosje ka përmendur rastin e Austrisë, atje ku ra Qeveria pas disa raportimeve të mediave për korrupsion.

“Para disa ditësh e patëm shembullin e Austrisë, ku pas publikimit të një videoje, menjëherë dha dorëheqje personi i përfshirë, e njëkohësisht u shpallën zgjedhjet e reja. Ky është momenti që Kosova të tregojë se dëshiron të ndjekë modelin perëndimor dhe jo atë rus. Kadri Veseli duhet të largohet nga çdo pozitë e pushtet, për t’i hapur udhë hetimeve, sa më shpejt dhe pa bërë rezistencë. Çdo këmbëngulje e tij për të vazhduar të qëndrojë në pushtet është pengesë e drejtësisë dhe e demokracisë, dhe mbrojtje e krimit të bërë”, thuhet në fund të reagimit.

 

https://kallxo.com/paraburgim-per-grupin-e-ismet-osmanit-currit/

.