Sami Kurteshi në konferencë

Vetëvendosje: Të Paligjshme Fletë-Arrestet për Deputetët

Pasi dje u arrestuan tre deputetët e Vetëvendosjes- Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj- Bujupi, ngase kërkoheshin nga gjykata në lidhje me gjykimin për gazin lotsjellës në Kuvend, ky subjekt fletë-arrestet i cilësoi sot të paligjshme.

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për gazetarë, tha se kryetari i trupit gjykues në rastin e deputetëve të VV-së Beqir Kalludra nuk ka pasur të drejtë të lëshojë fletë-arrestet.

Ai tregoi se Lëvizja Vetëvendosje, një ditë para se Kalludra të lëshonte fletë-arrestet për deputetët, i kërkoi kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë përjashtimin e tij dhe të anëtarëve tjerë të trupit gjykues në gjykimin për lotsjellësin.

Kurteshi më tutje deklaroi se Kalludra lëshoi fletë-arrestet, ende pa vendosur kryetarja e gjykatës rreth përjashtimit ose jo të tij dhe trupit gjykues nga procesi kundër katër deputetëve të VV-së.

“Nuk ka pasë të drejtë ligjore të marrë asnjë vendim në lidhje me çështjen, pa u marrë një përgjigje nga kryetarja e gjykatës”, tha Kurteshi, teksa e cilësoi vepër penale veprimin e Kalludrës.

Kurteshi deklaroi më tutje se Vetëvendosja dyshon në paanshmërinë e trupit gjykues, pasi i njëjti i dënoi aktivistët e Vetëvendosjes për sulmin në Kuvend.

“Ka dyshime të bazuara dhe objektive për paanshmërinë e këtij trupi gjykues ndaj deputetëve tanë për arsye se i njëjti trup gjykues është i angazhuar edhe në çështjen e aktivistëve tanë që janë të akuzuar dhe tanimë të dënuar nga po i njëjti trup gjykues për sulmin mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Kurteshi.

KALLXO.com shkroi dje për arrestimin e deputetëve.

http://kallxo.com/arrestohet-albin-kurti-2/

Ai në konferencë kërkoi edhe nga KQZ-ja që të numërojë votat me kusht, ato me postë dhe personave me aftësi të kufizuar në Prishtinë e Prizren.

“Konsiderojmë se nëse nuk vazhdon numërimi i votave në Prishtinë e Prizren, kjo përbën një cenim të integritetit dhe vullnetit të lirë të qytetarëve të shprehur me anën e votës”, tha Kurteshi, teksa tregoi se Vetëvendosja ka dërguar në Gjykatën Supreme ankesën ndaj vendimit të PZAP-it për rinumërim të votave në këto dy komuna.

KALLXO.com tregoi dje se ankesat kanë stopuar fillimin e rinumërimit të votave në Prishtinë e Prizren.

http://kallxo.com/ankesat-ne-supreme-shtyjne-rinumerimin-e-votave-te-prishtines-dhe-prizrenit/

Për kërkesën drejtuar KQZ-së që të vazhdojë numërimi i votave në Prishtinë e Prizren tregoi në Facebook edhe kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri.

“Me datën 23 nëntor i jam drejtuar kryetares së KQZ-së, gjyqtares Valdete Daka me kërkesën për vijimin e numërimit të votave me kusht dhe ato të mërgatës për Prishtinën dhe Prizrenin”, shkroi Ymeri.

Bashkë me postimin e tij ai e publikoi edhe kërkesën për KQZ-në.