Vetëvendosje: Prokuroria të hetojë krimin ekonomik në Telekom
Lëvizja Vetëvendosje thotë se qeveria e Kosovës po e injoron Kuvendin e Kosovës duke mos e zbatuar rezolutën e miratuar me 12 pika për Telekomin e Kosovës.
Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se pikat e paraparë në këtë rezolutë, e hartuar në bashkëpunim me grupin parlamentar të LDK-së, parasheh hapa që e nxjerrin Telekomin nga kriza dhe e vendosin atë në binarë e zhvillimit.
Kurti i ka lexuar të gjitha pikat e kësaj rezolute, e cila ndër të tjera kërkon shkarkimin e bordit aktual, auditimin e financiar dhe menaxherial të Telekomit si dhe tërheqjen nga marrëveshja e nënshkruar me kompaninë “Z-Mobile”.
“Sot e kësaj dite kjo qeveri nuk e ka ndërmarr asnjë hap, prandaj jemi këtu në mbrojtje të vendimit të Kuvendit që është shpërfillur”, ka thënë Kurti.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Salem Lepaja nga Komiteti për komunikime elektronike ka thënë se hapi i parë që duhet të ndërmerr qeveria është themelimi i grupit për menaxhimin e krizës, pasi do t’i hapte rrugë rishikimit të kontratave të dëmshme.
E një prej marrëveshjeve që duhet të rishikohet dhe anulohet sipas tij është ajo për operatorin Z-mobile.
“Kjo do t’i hapte rrugë zgjidhjes së marrëveshjes abuzive me kompaninë Dardafon.net LLC përkatësisht me Z-mobile. Ftojmë prokurorinë e Republikës së Kosovës të merret me krimin ekonomik që ka ndodhur në Telekomin Kosovës, në veçanti me kontratën joligjore me kompaninë Dardafon.net llc si shkaktari kryesor i krizës në Telekomin e Kosovës” tha Lepaja në konferencë.