Vetëvendosje: Prishtina nuk po qeveriset, po plaçkitet

Përplasjet e miqve të vjetër nuk kanë të ndalur, në mbledhjen e dytë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi kritikoi kryetarin Shpend Ahmeti, për shpenzimet e luksit që po bën, e që sipas tij janë ndryshe nga koha kur ishte ende në VV.

“Shpenzimet e luksit janë shfrenuar Coca Cola Zero, dreka e darka, edhe e kemi ditë se kur dalin nga VV njerëzit ndryshojnë, por nuk e kemi menduar se do i ndërrojnë kaq shpejtë parimet. Është i njëjti person që me zvogëlimin e shpenzimeve mburrej me blerjen e kifleve dhe qumështit, ndërsa sot vjedh edhe qumështin”, tha ai.

Sipas tij që nga largimi nga VV-ja, Ahmeti ka ndryshuar formën se si e ka shpenzuar buxhetin e Komunës.

“Shpend Ahmeti është i njëjti person, por jo i njëjti njeri, shpenzimet që rriten nga kjo qeverisje mund t’i quajmë shpenzime luksi, për 12 muaj për dreka dhe darka komuna ka shpenzuar 30 mijë euro, për vetura 13 mijë euro më shumë se planifikimi, qiraja për vetura 300% më shumë se sa ishte planifikuar, Prishtina nuk po qeveriset, ajo po plaçkitet”, tha Azemi.

Ndërkaq, Ardian Berisha nga PSD, u shpreh se drejtori i shkarkuar nga radhët e VV-së, Yll Rugova ka shpenzuar më së shumëti për një darkë.

“Një darkë më e shtrenjtë është ajo e ish drejtorit Yll. Ai shpenzoi mbi 5 mijë euro në një darkë”, tha Berisha.

Por, Azemi e kundërshtoi këtë fjalim të Berishës, duke e quajtur gënjeshtër.

“Ai ka shpenzu 260 euro në atë darkë, nuk është mirë më gënjy se 260 euro nuk janë 5 mijë euro”, tha Azemi.