Aktiviteti i Lëvizjes "Vetëvendosje" | Foto: KALLXO.com
‘Vetëvendosje’ Numëron Dështimet e Komunës së Pejës
Punësimet partiake të militantëve të LDK-së dhe PDK-së dhe keqpërdorimet e parasë publike nga zyrtarët komunalë ishin disa nga dështimet e numëruara para objektit të Komunës së Pejës nga dega e Lëvizja “Vetëvendosje” në ketë qytet.
Kryetari i Degës së Vetëvendosjes në Pejë, Bashkim Lajçi, tha gjendja ekonomike e qytetarëve po rëndohet, kurse zyrtarëve komunalë po ju rritet luksi.
“Qytetarëve të Pejës vazhdon t’u rëndohet gjendja ekonomike sociale, ndërkohë që zyrtarëve të qeverisjes lokale u rritet. Kompanitë e lidhura me pushtetin kanë vjelë buxhetin e qytetarëve pamëshirshëm përmes tenderëve të improvizuar në zyrat e prokurimit politik, e aspak publik,”tha Lajçi.
Lajçi tha së përveç punësimeve të militantëve partiake në arsim, komuna ka dështuar edhe në infrastrukturën e këtij sektori.
“Investimet e bëra në infrastrukturën e shkollave kanë qenë pa asnjë standard, shembull i keq në këtë drejtim është edhe objekti i shkollës së muzikës që ka filluar të ndërtohet në afërsi të parkut të qytetit ‘Karagaç’. Themelet e dëmtuara si pasojë e neglizhencës së zyrtarëve komunalë nuk do t’i paguajnë përgjegjësit, por qytetarët e Pejës,”theksoi Lajçi.
Por akuzave të Lëvizjes “Vetëvendosje” përmes telefonit për KALLXO.com u është kundërpërgjigjur zëdhënësi i Komunës së Pejës Engelbert Zefaj.
Engelbert Zefaj – Zëdhënës i Komunës së Pejës ( FOTO )
“Qenkan munduar me gjetë ‘qimen n’vo’, fjalor politik i rëndomtë opozitar. Ata(LVV) vetëm e paskan konfirmuar se është punuar shumë, por nuk qenkan të kënaqur me cilësinë. Ne kemi punuar më shumë se askush tjetër në Kosovë. Bazuar në kapacitetet financiare dhe njerëzore qe i ka komuna, kjo qeverisje ka bërë maksimumin,” tha Zefaj.