Vetëvendosje mbështet protestën për dorëheqjen e Kryeprokurorit

Lëvizja Vetëvendosje mbështet protestën që do të mbahet sot në ora 18, në të cilën kërkesë kryesore është shkarkimi nga detyra i kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit.

Kjo lëvizje përmes një konference për media u bëri thirrje qytetarëve dhe opozitës të dalin e të protestojnë.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu tha se Lumezi është shërbëtor i Thaçit, Veselit e Haradinajt. Ajo ka kërkuar nga organizatorët e protestës që t’i ndryshojnë kërkesat, duke e kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Letra e prokurorit Blakaj e zbërthen të vërtetën e kapjes së shtetit në të gjitha segmentet e tij. Ne e dinim prej kohës se çfarë sistemi të drejtësisë e kishim. E kishim përjetuar shumë herë padrejtësinë dhe dorën politike të pushtetit në sistemin e drejtësisë. Ato çfarë kemi paralajmëruar gjatë gjithë kohës po dalin të vërteta dhe po konfirmohen. Blakaj ishte kërcënuar direkt nga kryeprokurori Lumezi, i cili do të duhet të ofronte mbështetje të pa rezervë sidomos për prokurorët që po hetonin për veteranët”, tha Haxhiu.

Ajo tha se Veseli është dashur të ftohej si i dyshuar e jo dëshmitarë.

Kurse deputetit Galuk Konjufca vlerëson se në Kosovë ekziston një terror i pashembullt i pushtetit mbi drejtësinë.

“Rasti i prokurorit Elez Blakat, është shembulli më ilustrues për kapjen e shtetit, është një rast shumë shqetësues. Fjalët e vetë prokurorit Blakaj për Lumezin janë jo më pak brengosëse. Kryeprokurori takohet me të akuzuarit, Aleksander Lumezi i takon eksponetët e aferës ‘Pronto’”, theksoi deputetit.

Konjufca shtoi se deklarata e kryeministrit Ramush Haradinaj për prokurorin Blakaj janë kërcënime publike.

“Ato që i tha Haradinaj për prokurorin Blakaj, tingëllonin si telefonatat kërcënuese që i kishe pranuar prokurori Blakaj. Kjo e tregon vizionin që e ka kryeministri për drejtësinë. Është tragjike, e pafalshme”, tha ai.

Konjufca deklaroi se tash e tutje nuk do të kërkojnë nga prokuroria të hetojnë rastet e korrupsionit.

“Tash nuk mundesh me pas as më të voglën shpresë në sistemin e drejtësisë. Nuk do të humbim kohë me thënë ftojmë prokurorinë që të hetojnë faljen e  53 milionë eurove ndaj Bektel & Enkës, por do të kërkojmë t’i rrëzojmë nga pushtetit këta që janë”, tha Konjufca.