Vetëvendosje fajëson Komunën për shembjen e dheut

Lëvizja Vetëvendosje fajëson Komunën e Prishtinës për shembjen e dheut në një pjesë të rrugës “Qamile Jaka” në kryeqytet.

Gjatë një konference për media, Arbër Vokrri nga LVV – dega në Prishtinë, ka thënë se kjo komunë u mundua që fajin ta hedhë të shpërthimi i një gypi të ujësjellësit.

Sipas tij, ndërtimet pa leje po vazhdojnë e nuk po mbikëqyren ato me leje.

“Rrëshqitja e dheut ka ardhur si pasojë e punimeve që po zhvillohen në këtë objekt. Komuna e Prishtinës u mundua që fajin ta hedhë të shpërthimi I një gypi të ujësjellësit. Kjo u demantua nga KRU-Prishtina të cilët pas analizës së marrë nga tereni konstatuan se, po citoj “ekzekutimi i punëve në gropën ndërtimore të objektit poshtë rrugicës është bërë në mënyrë jo profesionale, jashtë standardeve për ndërtim dhe mbrojtje të gropës ndërtimore”, deklaroi ai.

Ai tha se nuk është hera e parë që po ndodh diçka e tillë në këtë komunë, duke përsëritur fjalët që Shpend Ahmeti ka deklaruar ditë më parë se” nuk mund t’i ndal ndërtimet e egra sepse ose do të vrasin, ose në burg”.

Arbër Vokrri, VV- Prishtinë

“Ky nuk është rasti I parë që po ndodhë diçka e tillë. Para disa javësh në po të njëjtën lagje kemi pasur një rast të ngjashëm dhe po ashtu raste të tilla po raportohen edhe nga lagjet e tjera. Ne vazhdimisht kemi ngritur shqetësimin për degradimin e qeverisjes komunale në fushën e ndërtimeve, si për mënyrën si po lëshohen lejet ashtu edhe si po tolerohen ndërtimet pa leje”, ka thënë Vokrri në një konferencë për media, të hënën.

“Para disa ditësh vetë kryetari ka deklaruar që nuk mund t’i ndal ndërtimet e egra, sepse ose e vrasin ose e fusin në burg, e ndërkohe në Prishtinë po vazhdojnë ndërtimet pa leje, e nuk po mbikëqyren ato me leje”, shtoi ai.

Gjithashtu, sipas tij, deklaratat e kryetarit për ‘hedhjen’ e fajit janë ‘alibi për mos punën dhe dembelinë e tij’.

KALLXO.com ka raportuar sot se mbrëmë është shembur dheu në një pjesë të rrugës “Qamile Jaka” në kryeqytet e si pasojë sot është ndërprerë mësimi në shkollën fillore ‘Naim Frashëri’.

Shkaktar i gjithë kësaj sipas drejtorit komunal të Inspeksionit, Adonis Tahiri, mund të jetë shpërthimi i një gypi të ujësjellësit.

“Sipas informatave që kemi deri tash shkaktar për ketë çështje ka mundur të jetë shpërthimi i një gypi të ujësjellësit që është në ketë pjesë të rrugës, pra jo brenda vend punishtes dhe si pasojë nuk kanë mjaftuar pilotet që janë vendosur në vend punishte që ta ndalin rrëshqitjen e dheu për shkak se ka pasur rrjedhje të vazhdueshme të ujit”, tha ai.

Foto: Kallxo.com

Tahiri thotë së duke u bazuar në inspektimet e bëra në terren, pilotet që janë të vendosur në vend punishten që ndodhet në skaj të rrugës janë sipas rregullave të ndërtimit.

“Kompania e ka pasur lejen e punës, pilotet janë të vendosur ashtu siç parashihet në lejen ndërtimore mirëpo për çdo rast hetuesia e Policisë se Kosovës ka qenë dhe është këtu që nga mëngjesi dhe jemi në koordinim të vazhdueshëm me ta për të parë gjithë masat që mund t’i ndërmarrim bashkë”, u shpreh Tahiri.

Për shkak të shembjes së dheut në ketë pjesë të rrugës, shkolla fillore ‘Naim Frashëri’ e cila gjendet pak metra larg ka ndërprerë mësimin.

“Kemi diskutuar me Policinë e Kosovës dhe kemi pasur sugjerim që të largohen nxënësit jo pse ka rrezik të shembjes se dheut në pjesën e shkollës mirëpo derisa të stabilizohet e gjithë kjo pjesë që mos t’i lemë nxënësit të mbajnë mësimin dhe që shkolla te jetë e zbrazet”, deklaroi ai.

Gjithashtu, bëhet e ditur se banorët e kësaj lagje kanë mbetur pa ujë dhe pa rrymë.

 

 

13 Maj 2019 - 16:41

Xheneta Murtezaj 13/05/2019 - 16:41
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend