Foto: Facebook/LevizjaVetevendosje

Vetëvendosje bën homazhe në Reçak

Me rastin e 20-vjetorit të masakrës së Reçakut, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë homazhe tek kompleksi memorial në këtë fshat.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti homazhe për 20-vjetorin e masakrës së Reçakut, në të cilën u vranë 45 civilë e 11 ushtarë të UÇK-së. Qindra aktivistë të LV, anëtarë kryesie e depuetë, të kryesuar nga kryetari Albin Kurti në mëngjesin e sotëm bënë homazhe te kompleksi memorial në Reçak. Vrasjet në agimin e ftohtë të 15 janarit, përçmimi i trupave të të vrarëve dhe mohimi i masakrës nga forcat militare dhe shteti serb i tejkaluan kufijtë e plagëve të kombit tonë dhe u bënë për botën tmerri i takimit me një shteti që dëshiron një botë pa njerëzim”, ka njoftuar VV përmes një postimi në profilin zyrtar në Facebook.

Aty po ashtu është thënë se dëshmia e këtij krimi mbi shqiptarët e “nxorri në pah shtetin serb si kriminel kundër njerëzimit”.

“Dëshmia e krimit të 15 janarit 1999 ishte vendimtare për ndërhyrjen e NATO-s. Katastrofa të tilla historike vënë në dyshim edhe mundësinë dhe forcën për t’i shprehur përmes gjuhës dhimbjen e momenteve të tilla. Fjala duket e pamundur të dalë pas mësymjes së këtij lloj përbindëshi. Masakra të tilla e bëjnë të domosdoshme luftën për çlirim. Këto ngjarje në historinë tonë na tregojnë se pavarësia e Kosovës dhe bashkimi kombëtar janë shenjat e një njerëzimi që mbijeton në dritën e drejtësisë dhe nën darën e historisë”, thuhet në postim.

 

Reçaku, fshati që e vizitoi vdekja dhe e harroi drejtësia