Vetëvendosje bën gati autobusët për protestën kundër Lumezit

Protestë paqësore nën moton “Lepur Ik, Duam Republikë”, do të mbahet nesër duke filluar nga ora 11:55, para zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në Prishtinë.

Kjo protestë nga Lëvizja Vetëvendosje është thirrur për shkarkimin e Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi.

Në protestë parashihet të ketë pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, pasi që Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar transport falas për qytetarët e Komunave të tjera, që të vinë në Prishtinë në mënyrë të organizuar për të marrë pjesë në protestën e paralajmëruar.

Qendrat e VV-së në Komunat Kryesore kanë njoftuar në faqet e tyre zyrtare për orën e nisjes për në Prishtinë.

Nisja nga parku i qytetit në Vushtrri, ora 10:30.

Nisja nga Pallati i Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, në ora 10:00.

Nisja nga oborri i shkollës “Gjon Serreçi” në Ferizaj, në ora 10:30.
Nisja nga ish- hoteli Adriatik në Mitrovicë, në ora 10:00.
Nisja nga stacioni i autobusëve në Besianë, në ora 10:30.
Nisja nga Mulliri I Haxhi Zekës në Pejë, në ora 09:00.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se për të gjithë qytetarët ky transport do të jetë gratis.

Gjatë ditës së djeshme, Sekretarja e Lëvizjes Vetëvendosjes Vlora Haxhimehmeti përmes një postimi në facebook, ka njoftuar se janë takuar me përfaqësuesit nga Policia e Kosovës, të udhëhequr nga Kapiteni Blerim Salihu, në Stacionin Policor Qendra, në Prishtinë, ku kanë njoftuar Policinë e Kosovës për organizimin e protestës së 26 prillit, në ora 11:55, kundër kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

“Pas diskutimit të detajeve organizative, u pajtuam që të jemi në kontakt dhe të koordinohemi për të siguruar mbarëvajtjen e protestës paqësore në rrugën Luan Haradinaj”, ka shkruar Haxhimehmedi.


Në një konferencë për media të mbajtur dje për protestën e organizuar nga Levizja Vetëvendosje, deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka dështuar t’i realizojë dy premtimet e dhëna para emërimit në këtë pozitë: Luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe hetimin e krimeve të luftës.

“Në vend të prezantimit të një platforme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit  kryeprokurori Lumezi përmendi dy premtime publike: E para ishte luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit që nuk ndodhi asnjëherë dhe e dyta ishte hetimi i krimeve të luftës që poashtu asnjëherë nuk u morën seriozisht me krimet e luftës”,ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka shtuar se si pasojë e mungesës së një prokurorie të mirëfilltë, Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër për shkak të korrupsionit. E pikërisht për këtë arsye, Haxhiu thotë se  qytetarët e Kosovës po lëshojnë vendin.  Sipas saj, korrupsioni po ndodhë para syve të  Prokurorisë.

E shefi i Grupi Parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, i është kundërpërgjigjur Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili e ka  quajtur ndërhyrje në drejtësi protestën e paralajmëruar të VV-së para  Prokurorisë së Shtetit.

Konjufca tha se është e habitshme se si një institucion i tillë nuk e kupton të drejtën elementare për protestë paqësore.