Vetëvendosja Shpall Zgjedhjet e Brendshme

Dy muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Lëvizja Vetëvendosje nisi sot procesin e brendshëm të përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë komunash dhe asamblistë.

Zgjedhjet e brendshme në këtë subjekt i konfimuan me anë të një konference për gazetarë Ismajl Kurteshi e Nol Nushi.

Nushi që është kryetar i Komisionit të Përgjithshëm Zgjedhor për zgjedhjet e brendshme të Vetëvendosjes, tregoi se secili anëtar i këtij subjekti mund të kandidojë për kryetarë komunash ose asamblist nga ky subjekt.

Sipas Nushit Vetëvendosja është i vetmi subjekt që zgjedhjen e kandidatëve të saj për kryetar komunash e filtron nëpër votat e secilit anëtar të saj.

Nushi deklaroi se procesi do të zgjedhë më të mirët nga ky subjekt për pozitat në të cilat ata konkurrojnë.

Ismajl Kurteshi teksa tregoi se vetë nuk do të konkurrojë për kryetar komune të Gjilanit, tha se asnjëri nga kandidatët e mundshëm për kryetarë komunash nuk do të jetë i privilegjuar brenda LVV-së.

“Nuk ka asnjë përjashtim të gjithë që futen në garën e re do t’u nënshtrohen procedurave të cilat vlejnë për sejcilin kandidat qoftë për Shpendin që është kandidat aktual, qoftë për të tjerët”, tha Kurteshi.

Nga java e ardhshme komisionet zgjedhore nëpër komuna mund ta caktojnë datën e zgjedhjeve të brendshme të LVV-së për kryetarë komunash dhe listë të këshilltarëve komunalë.