Ilustrim: Një fëmijë i prekur nga fruthi - Foto: Rtv21

Vetëm Sot 11 Raste të të Prekurve nga Fruthi

Që nga muaji qershor në Klinikën Infektive të QKUK-së janë paraqitur mbi 150 raste të të prekurve nga fruthi.

Ndërsa, vetëm sot në këtë Klinikë janë paraqitur edhe 11 raste të reja.

“Aktualisht janë duke u trajtuar 68 raste dhe nga këto janë 3 raste me status klinik të rëndë. Bëhet fjalë për dy fëmijë dhe një i rritur”, tha drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani.

Në Institutin e Shëndetit Publik thonë se i kanë marrë të gjitha masat për parandalimin e kësaj sëmundjeje.

Ndërsa, në Klinikën Infektive sugjerojnë që rastet e prekura nga fruthi të izolohen në shtëpi. Por, theksojnë se nuk ka nevojë për panik.

Si pasojë e fruthit dje në QKUK ka ndërruar jetë një person 37-vjeçar, ndërsa ditë më parë nga fruthi ka vdekur edhe një foshnjë 15 muajshe nga Fushë-Kosova. /21Media