Vetëm një gjykatës i Supremes ka pronë të përbashkët me bashkëshorte

Gjykatësi Rasim Rasimi është gjykatësi i vetëm i Gjykatës Supreme i cili ka deklaruar se posedon një pronë të cilën  e ka të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij.

Por shembullin e gjykatësit Rasim Rasimi nuk e kanë ndjekur gjykatësit e tjerë të kësaj Gjykate.

Duke përfshirë këtu edhe kryetarin e kësaj gjykate Enver Pecin i cili nuk posedon asnjë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për mënyrën e regjistrimit të pronave të gjykatësve të Gjykatës Supreme.

Nga përgjigjet të cilat ne i kemi pranuar në atë kohë ka rezultuar se nga 16 gjykatësit e kësaj gjykate duke përfshirë këtu edhe kryetarin e Gjykatës, prej 11 nga të cilët kishim marrë përgjigje në atë kohë, vetëm 2 gjykatëse (gra) kishin deklaruar se posedojnë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortët.

Në atë kohë ne nuk kemi qenë të informuar për mënyrën e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme të gjykatësit Rasim Rasimi, pasi që ai ka qenë në pushim mjekësor dhe nuk ka pasur mundësi ti përgjigjet pyetjes tonë.

Pas kthimit të të njëjtit nga pushimi, ne jemi informuar përmes zyrtares për Informim Publik të kësaj gjykate, Antigona Uka-Lutfiu e cila na ka njoftuar se gjykatësi Rasim Rasimi posedon një banesë të cilën e ka të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij.

Ndërsa kryetari i kësaj gjykate, Enver Peci ndonëse ka deklaruar se nuk posedon pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij, ai për BIRN ka shtuar se në momentin e parë që i ofrohet mundësia pronën do ta regjistrojë në emër të përbashkët me bashkëshorten.

“Në momentin që krijohen kushtet, unë do ta legalizoj shtëpinë dhe do ta regjistroj me ½ për mua dhe bashkëshorten. Në pjesën jugore të Mitrovicës unë kam në shfrytëzim me qira një banesë të dhënë nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës, e cila është në shfrytëzim bashkë me bashkëshorten”, ka deklaruar ai.

Përpos gjykatësit Rasim Rasimi janë edhe dy gjykatëset (gra) Emine Kaçiku e Emine Mustafa, të cilat kanë deklaruar se posedojnë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortin.

Pronë e përbashkët e bashkëshortëve – nënkupton pasurinë e krijuar gjatë jetës në martesë e cila regjistrohet si pronë e përbashkët, administrohet bashkërisht dhe nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e bashkëshortëve.

Në bazë të këtij Udhëzimi Administrativ, autoritetet publike janë të obliguara që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.