Diskutimi për çmimet e barnave | Foto: KALLXO.com

Vetëm Kosova dhe Bjellorusia nuk i rregullojnë çmimet e barnave

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë sot gjatë një dëgjimi publik se sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm Kosova dhe Bjellorusia nuk kanë mekanizma të rregullimit të çmimeve të barnave.

Në dëgjimin publik ku foli ministri, u diskutua Draft-Udhëzimi Administrativ për Përcaktimin e Çmimeve të Barnave dhe Pajisjeve Medicinale.

Ismaili tregoi se për çështjen e çmimeve të barnave po diskutohet edhe me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

“Në diskutimet tona të brendshme (me OBSH) kemi kërkuar asistencë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë me të cilën kemi filluar një proces, së pari, të diagnostifikimit të situatës dhe më pas të modelojmë disa zgjidhje të cilat mund të jenë të mundshme në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa, gazetarja e Kohës Ditore, Saranda Ramaj, tha se kur bëhet fjalë për fryrjen e çmimeve të medikamenteve duhet të përfshihen edhe institucionet e drejtësisë.

“Ajo çka ka ndodhë në Ministrinë e Shëndetësisë absolutisht nuk duhet të diskutohet vetëm në tryeza të këtij lloji. por hetohet nga Prokuroria e Shtetit për shkak se konsiderojmë që është abuzuar buxheti publik”, tha Ramaj.

Ajo tregoi se nga një hulumtim 2-vjeçar ka dalë që rreth 200 produkte, barnat dhe materiali shpenzues janë blerë nga Ministria me çmime, të cilat i ka quajtur, abuzive.

“Rritja e çmimeve ka ndodhur nga 100% e maksimumi që e kemi gjetur ka qenë në 2000%. Kjo nuk ka ndodhur pa ndonjë arsye dhe kam dyshim që nuk është ndonjë ndryshim i rastësishëm”, tha Ramaj.

Arianit Jakupi, nga Projekti i Kosovës për Shëndet, Kosovo Health Project, shpjegoi se udhëzimi administrativ synon t’i rregullojë çmimet, së pari duke e caktuar njëfarë tavani (masksimum) të çmimeve dhe caktimi i çmimit të cilin do ta paguajë Fondi për Kompensim që parashihet në udhëzim.

Ndërkaq, ai theksoi se do të ketë çmime referente.

“Do të bëhet një krahasim me çmimet referente të cilat janë përcaktuar në shtetet e rajonit duke marrë parasysh karakteristikat si ato të zhvillimit ekonomik (GDP-së), madhësisë së popullatës, kurse është zgjedhur edhe një shtet i BE-së i cili është konsideruar më i afërti me Kosovën, pra që është Kroacia”, tha Jakupi.

Po ashtu, në këtë diskutim morën pjesë edhe anëtarët e Komisionit të Kuvendit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Besa Baftiu, tha se ka pasur abuzime, ndërsa e dha edhe një shembull për fryrjen e çmimeve.

“Një ampulë që kushton 1 euro, qytetarët e kanë blerë edhe 22 euro”, tha Baftiu.

Ngjashëm foli edhe deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, cila tha ka barna që kanë kushtuar 5 fish më lirë me pakicë se  me shumicë.

Ajo deklaroi se shëndetësia në Kosovë bëhet e shtrenjtë si pasojë e mungesës së barnave dhe çmimeve të larta me të cilat institucionet shëndetësore i blejnë barnat.

“E kemi thënë se shëndetësia në Kosovë është falas, por kur e krahasojmë me shtetet e rajonit është më e shtrenjta”, tha deputetja e AAK-së.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, foli për një “treg të egër të barnave”.

“Kemi raste një citostatik 350 euro është shitur para Institutit të Onkologjisë me 1300 euro”, tha ai.

Ai bëri thirrje që organet e sistemit të drejtësisë të merren me rastet e mundshme të abuzimit.

“Nëse është vërtetuar se janë bërë shkelje të tilla ato duhet të përcillen në institucionet kompetente (prokuroria)”, tha ai.

Po ashtu, foli edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i cili deklaroi se “duhet të ndryshohet mënyra e kontraktimit të pajisjeve dhe produkteve medicinale”.

“Ideja është që produktet dhe pajisjet medicinale të blihen direkt nga prodhuesi”, tha Haxhiu.

KALLXO.com e ka transmetuar në tërësi tryezën e “Demokraci Plus”.