Vesna Mikic. Foto: Lista Serbe Ranillug/Youtube

Vesna Mikiq: Kjo është arsyeja e vërtetë pse më shkarkoi Haradinaj

Zëvendësministrja e shkarkuar e Drejtësisë, Vesna Mikiq, u është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Në këtë letër, Mikiq thotë se arsyeja e vërtetë pse ajo është shkarkuar nuk është për deklaratat e saj rreth “gjenocidit nga NATO të ushtruar kundër popullit serb” por qëllimi i Haradinajt për të larguar përfaqësuesit serbë të zgjedhur në mënyrë legjitime dhe të cilët mendojnë me kokën e tyre, dhe të cilët me praninë e tyre në institucionet e Kosovës nuk dëshirojnë të jenë vetëm një dekor për të paraqitur para bashkësisë ndërkombëtare portretin e rremë të multietnicitetit dhe një iluzion të turpshëm të demokracisë.

“Ky veprim reflekton tendencën tuaj të hapur për të qenë i rrethuar nga serbë të ngjashëm të cilët, për arsye personale, do të ndjejnë të gjitha fyerjet dhe gënjeshtrat që ju i paraqisni në baza ditore në kurriz të popullit tim, që do të flasin vetëm atë që ju ua lejoni. Pra, e vërteta, sipas jush, është vetëm ajo që ju përshtatet dhe ajo që vetëm ju dëshironi ta dëgjoni”, shkruan Vesna Mikiq në letrën drejtuar kryeministrit Haradinaj.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Vesna Mikiq, është shkarkuar të nesërmen e një postimi të saj në Facebook, në përvjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s kundër forcave serbe për shkak të vrasjeve, dëbimit dhe krimeve të tjera kundër civilëve shqiptarë të Kosovës.

Haradinaj shkarkoi zv/ministren Mikiç për deklaratat rreth NATO-s

Para plot 20 vitesh nga NATO u krye qëllimisht gjenocid i planifikuar ndaj një shteti sovran që një dekadë më herët luftoi kundër terrorizmit shqiptar”, raportuan mediat të ketë shkruar Mikiq në profilin e saj në “Facebook”.

Vesna Mikiq thotë se nuk ka bërë ‘shkelje’ në deklaratat kundër NATO-s dhe shqiptarëve

Edhe në letrën e hapur drejtuar Haradinajt dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, Vesna Mikiq insiston në “krimin e planifikuar” kundër popullit serb, pasi, sipas saj, sulmet e NATO-s u ndërmorrën kundër një shteti sovran, pa miratimin e OKB-së dhe në shkelje të traktateve ndërkombëtare.

Sipas saj, edhe vendet e NATO-s që morën pjesë në fushatën 78-ditëshe të bombardimeve ajrore kundër Serbisë, e kanë pranuar gabimin, duke shtuar se “kërkimfalje publike kanë kërkuar ambasadat e tetë vendeve të NATO-s: Ambasada e Kanadasë, Francës, Italisë, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara”.

Mikiq sërish mbron veprimet e forcave serbe në Kosovë, të cilat, sipas saj, kanë luftuar kundër “bandave të terrorizmit shqiptar”.

31 Mars 2019 - 10:49

Naser Sertolli 31/03/2019 - 10:49
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend