Vështirësitë e Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë

Qendra e Shëndetit Mendor është themeluar për t’u ofruar rehabilitim dhe risocializim personave në nevojë, por infrastruktura e kësaj ndërtese ka probleme në funksionim.

Qendra në të cilën ofrohen shërbime të ndryshme trajtimi të të prekurve me sëmundje të natyrës mendore po përballet me defekte të vazhdueshme.

Në fillim ishte problemi i kulmit që pikonte, por kur ky problem u zgjidh vitin e kaluar, tani telashet janë te dritaret që nuk mbyllen mirë dhe, si të tilla, ndikojnë që dhomat gjatë dimrit të mos jenë të ngrohta mjaftueshëm.

Drejtori i kësaj qendre, Sami Rexhepi, ankohet për këtë gjë.

“Dy herë na ka ndodhë me u djeg kompjuterat në recepsion për shkak se ka pikuar uji edhe aty njëherë kemi qenë të rezikuar se ka pikur të kutia e rrymës dhe këto pllakat janë prej gipsit kur lagen ato bijnë kam pas frikë mos po ndodhë me i ra ndonjë klienti apo personelit”, thotë Rexhepi.

Objekti që duket i bukur për t’u parë, ka edhe probleme tjera.

“Nuk është funksional për shkak se vëllimi është shumë i madh i objektit për me u ngroh ndërsa hapësira e punës ka qenë shumë e vogël prandaj i kemi bërë edhe tre zyre”, tha ai.

KALLXO.com ka mësuar së edhe ventilimi ka qenë  problem për këtë qendër dhe se Inspektoriati Sanitar ka kërkuar të zgjidhet ky problem.

“Ventilim nuk ka pasur përpara është bërë komplet tubacion i ri për disa ditë kemi pasur pak pengesë se boshti i motorit kryesor është dëmtu dhe është dashtë me ndru boshtin ndërsa përpara 12 vjet e kaluara nuk ka qenë”, tha Rexhepi.

Lamir Thaçi, zyrtar për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë tha se inspektoriati sanitar gjatë inspektimit të Qëndresë se Shëndetit Mendore ne Ulpianë Prishtinë ka hasur në mungesë të kushteve teknike sanitare siç janë mungesa e ventilimit natyror dhe artificial në disa hapësira, sidomos në bodrum.

“Ka pasur dëmtime si shkak i rrjedhjeve të krijuara nga lagështia qe ka ardhur prej kulmit të dëmtuar. Të gjitha këto janë dhenë si vërejtje dhe është urdhëruar përmirësime i kushteve sipas afateve ligjore. Në inspektimin e fundit të Inspektoratit Sanitar të Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë nuk janë hasur të njëjtat parregullsi, dmth janë eliminuar defektet e gjetura sipas  urdhrit të dhënë”, tha Thaçi.

Kjo qendër ka edhe një tjetër problem, pasi dritaret të cilat prej se kur është ndërtuar objekti nuk kanë siguruar izolim të mirë.

“Dritaret janë prej fillimit të punuara nga alumini pa urë termike dhe një pjesë e madhe e tyre ka lëvizë ashtu që nuk e kanë funksionin me u mbyllë ato gjatë dimrit të gjitha dritaret kanë ngjitës për me e pengu rrymimin e ajrit ndërsa kjo tullë e betonit shërben për me u mbyll dritarja sepse është jashtë funksionit” tha Rexhepi.

Në pamundësi që të sigurojë adresimin e problemeve nga buxheti i shtetit, Rexhepi thotë se i ka drejtuar shpresat tek organizatat e huaja për ndonjë donacion,  për një veturë për këtë qendër pasi që veturat që i posedon qendra nuk i përmbushin nevojat e plota për të kryer punët në gjithë rajonin, Rexhepi thotë se nuk ka marrë ndonjë përgjigje pozitive deri më tash.