Veseli: Sot popullit tonë iu shtua edhe një ditëlindje

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në ceremoninë zyrtare të tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, së pari i uroi këtë transformim Rifat Jasharit dhe më pas edhe Luan Haradinajt, djalit të ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shkëlzen Haradinajt.

Veseli tha se kjo është ditë e madhe në historinë tonë dhe se kjo ditë do të kujtohet me krenari nga brezat e ardhshëm.

“Sot ditëlindjeve më të mëdha të popullit tonë po i shtohet edhe ditëlindja e Ushtrisë së Kosovës. Historia është kronike e ndryshimeve njerëzore në kohë. Ne jemi pjesëtarë të një kombi i cili gjatë tërë ekzistencës së tij asnjëherë nuk sulmoi askënd”, tha Veseli.

Ai më tej shtoi se e ardhmja do të tregojë drejtësinë e plotë të kauzës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne besojmë te drejtësia sepse kemi luftuar vetëm për drejtësinë. Kemi qenë dhe jemi në anën e drejtë. Jemi në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i falënderojmë”, tha mes tjerash Veseli.

Kryeparlamentari gjithashtu theksoi se Ushtria e Kosovës do t’i shërbejë sigurisë, paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.