Takimi Veseli-Delawie

Veseli Siguron Delawie-n se Kosova do të Kryejë Obligimet e Marra

Kadri Veseli është takuar sot me ambadsadorin amerikan në Kosovë Greg Delawie, të cilin sipas një komunikate të lëshuar nga Kuvendi e ka siguruar se Kosova do t’u qëndrojë obligimeve që ka marrë edhe rreth Gjykatës Speciale.

“Veseli ka thënë se Kosova do t’u qëndrojë obligimeve te veta ndërkombëtare deri në fund, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara, do të ndjekë agjendën e integrimeve euroatlantike, dhe në këtë rrugëtim partneriteti me SHBA-të do të mbetet primar”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, kryeparlamentari bashkë me ambasadorin kanë biseduar për zhvillimet e fundit në vend dhe për agjendën e Kuvendit të Kosovës për vitin 2018.

Në komunikatë thuhet se “në takimin e kryetarit Veseli dhe ambasadorit Delawie është theksuar nevoja e qëndrimit të përbashkët për çështjet me interes nacional”.

Shfuqizimi i ligjit me të cilin u themelua Gjykata Speciale është në rendin e ditës të mbledhjes së qeverisë që do të mbahet javën e adhshme.

Ambasadori Greg Delawie vazhdimisht ka folur kundër nismës së disa deputetëve për shfuqizimin e speciales.

Edhe Kadri Veseli ka thënë se Specialja do të ndodhë.